Zjarret masive në pyje po përhapen me shpejtësi në Evropën Jugore, duke detyruar mijëra banorë të evakuohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se sezoni i zjarreve ka nisur më herët se zakonisht për shkak të temperaturave ekstreme dhe thatësirës.
Qindra zjarrfikës janë angazhuar në Portugali, Spanjë, Francë dhe Greqi për të vënë nën kontroll flakët, të cilat deri tani kanë shkatërruar mbi 19 mijë hektarë tokë. Situata pritet të përkeqësohet, pasi temperaturat në disa zona të kontinentit parashikohen të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
Një nga vatrat më të mëdha është regjistruar në jugperëndim të Francës, pranë qytetit të Perpignanit, ku rreth 700 zjarrfikës, të mbështetur nga avionë të specializuar, po luftojnë me një zjarr të përmasave të mëdha. Më shumë se 10 mijë banorë janë evakuuar, ndërsa flakët kanë përfshirë rreth 4,600 hektarë tokë, të favorizuara nga erërat e forta, temperaturat e larta dhe ajri i thatë.
Zjarret shpërthyen menjëherë pas valës së të nxehtit që goditi Evropën në muajin qershor, një nga më ekstremet e regjistruara ndonjëherë. Sipas shkencëtarëve të organizatës World Weather Attribution, kjo valë e të nxehtit, që shkaktoi mijëra viktima, do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Autoritetet franceze paralajmërojnë se sezoni i zjarreve do të jetë i gjatë dhe i vështirë. “Sezoni do të jetë i gjatë, duhet të na ndihmoni”, deklaroi koloneli i shërbimit francez të zjarrfikësve, Eric Belgioino, duke u bërë thirrje banorëve të respektojnë masat e sigurisë.
Flakët kanë prekur edhe vende të tjera të rajonit. Në Greqi, dy fabrika në Selanik u përfshinë nga zjarri gjatë fundjavës, duke detyruar autoritetet të evakuojnë zonën dhe t’u kërkojnë banorëve të mbajnë dritaret të mbyllura për shkak të tymit.
Në Spanjë, një zjarr pranë bregdetit të Costa Brava ka djegur mbi 2,200 hektarë në vetëm dy ditë, ndërsa zjarrfikësit paralajmërojnë se temperaturat e larta dhe vatrat e shumta aktive do ta bëjnë edhe më të vështirë shuarjen e flakëve.
Zjarre të mëdha janë regjistruar gjithashtu në ishullin kroat të Hvarit dhe në zonën e Talës në Shqipëri, ku janë dëmtuar qindra hektarë pyje, shkurre dhe sipërfaqe bujqësore.
Ndërkohë, autoritetet në Portugali, Spanjë dhe Francën jugore kanë ngritur nivelin e alarmit për shkak të valës së re të të nxehtit, e cila pritet të përhapet drejt veriut të Evropës dhe të zgjasë deri në fundjavën e ardhshme.














