Zjarri që ka përfshirë mbrëmjen e djeshme, 3 korrik, malin e Shëngjinit vijon të jetë aktiv, ndërsa ekipet zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Specialisti i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Zjarrfikës, Agustin Pepkolaj, deklaroi se situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit të thyer, i cili e vështirëson ndërhyrjen e forcave në terren.
Sipas tij, pavarësisht përmasave të zjarrit, aktualisht flakët nuk përbëjnë rrezik për zonat e banuara, ndërsa operacioni për neutralizimin e vatrës vijon pa ndërprerje.
Në terren janë angazhuar gjashtë mjete zjarrfikëse nga bashkitë e Lezhës dhe Vau i Dejës, si dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile, të cilat po bashkëpunojnë për mbajtjen e situatës nën kontroll. Ka mbërritur edhe një helikopter i ushtrisë.














