Policia e Shtetit ka reaguar pas operacionit që çoi në arrestimin e Elvis Koçit të njohur ndryshe si “Vis Korçari”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Koçi u lokalizua në qendër të Ksamilit, teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”.
Në momentin e ndërhyrjes së efektivëve, ai tentoi të largohej, por u neutralizua dhe u arrestua nga forcat operacionale.
Sipas Policisë, Elvis Koçi ishte shpallur në kërkim për ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë të drejtësisë. Ai është dënuar me 4 vite burgim për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Policia bëri me dije se Koçit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet, 9 muaj e 9 ditë burgim.
Pas arrestimit, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprimet e mëtejshme ligjore.














