Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë për Ilir Selmanin, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në Tiranë.
Përmes një vendimi të shpallur ditën e sotme, më 19 qershor 2026, Apeli i GJKKO-së ka pranuar kërkesën e të pandehurit duke konstatuar humbjen e fuqisë së masës “Arrest në burg” për shkak të kalimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Trupa gjykuese ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Selmanit nga ambientet e paraburgimit dhe shoqërimin e tij drejt banesës private në Tiranë, ku do të vuajë masën e re të sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ilir Selmani akuzohet si një nga autorët kryesorë të vrasjes së ish-policit Santiago Malko në gusht 2019.
Ai dyshohet se ka ndihmuar grupin ekzekutues duke drejtuar automjetin e përdorur për ndjekjen e viktimës dhe duke kryer lëvizje të koordinuara me urdhër të Leonard Dukës.














