Po aq shqetësuese janë edhe të dhënat për benzenin, një substancë e klasifikuar si kancerogjene. Tek “21 Dhjetori” u regjistruan deri në 42.8 mikrogramë për metër kub, më shumë se tetë herë mbi kufirin e Bashkimit Europian, ndërsa tek Zogu i Zi niveli arriti në 25 mikrogramë për metër kub.
Plani evidenton gjithashtu nivele shqetësuese të plumbit (Pb) në të gjitha pikat urbane të monitoruara, duke sinjalizuar ekspozim të vazhdueshëm ndaj një metali të rëndë me pasoja të njohura për shëndetin e njeriut.
Mjekët
Megjithatë, sipas specialistëve, rreziku më i madh vazhdon të vijë nga grimcat e imëta PM2.5.
Duke iu referuar evidencave shkencore dhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pneumologu Jul Bushati shpjegon se këto grimca janë veçanërisht të rrezikshme për shkak të madhësisë së tyre.
“Grimcat PM2.5 janë aq të vogla sa kalojnë në alveolat pulmonare dhe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut”, shpjegon ai.
Sipas Bushatit, niveli prej 70.7 mikrogramë për metër kub i regjistruar tek “21 Dhjetori” është rreth trefish mbi kufirin e Bashkimit Europian dhe gati pesë herë mbi rekomandimin e OBSH-së.
“Nivelet e PM2.5 prej 70.7 µg/m³ sipas studimeve përfaqësojnë një rrezik serioz për mushkëritë, duke rritur gjasat për inflamacion, përkeqësim të astmës, SPOK dhe rritje të rrezikut për kancer të mushkërive”, thotë ai.
“Ekspozimi i përditshëm ndaj ndotjes së ajrit është si një investim negativ në shëndet. Dëmtimi akumulohet ngadalë dhe mund të shfaqet pas viteve si astmë, bronkit kronik, SPOK apo sëmundje kardiovaskulare”, shton Bushati.
Rreziku
Shqetësimi nuk mbetet vetëm në nivelin e rrezikut teorik. Të dhënat e përfshira në Planin e Veprimit për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit, bazuar në statistikat e INSTAT dhe ISHP, tregojnë se në Tiranë janë regjistruar mesatarisht 108 vdekje në vit nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes gjatë periudhës 2012-2019, pa përfshirë vitet e pandemisë.
Në vitin 2023, numri i vdekjeve nga këto patologji rezulton 91 raste. Dokumenti e trajton përmirësimin e cilësisë së ajrit si një element të rëndësishëm për reduktimin e barrës së sëmundjeve respiratore në popullatë.
Ekspertët
Për ekspertin e mjedisit Olsi Nika, shpërndarja e pikave më të ndotura në hartën e qytetit e bën të qartë burimin kryesor të problemit.
“Kur sheh se pikat më problematike janë Ataturku, Karl Topia, Rruga e Kavajës apo nyje të tjera me trafik intensiv, e kupton menjëherë se burimi kryesor i ndotjes është trafiku rrugor” Olsi Nika
“Kur sheh se pikat më problematike janë Ataturku, Karl Topia, Rruga e Kavajës apo nyje të tjera me trafik intensiv, e kupton menjëherë se burimi kryesor i ndotjes është trafiku rrugor”, thotë ai.
“Në shumë segmente kemi ndërtesa të larta, rrugë relativisht të ngushta dhe qarkullim të dendur, duke krijuar atë që në literaturën mjedisore quhet ‘street canyon effect’. Ajri qarkullon më pak dhe ndotësit mbeten të bllokuar për më gjatë pranë nivelit ku ekspozohen qytetarët”, shpjegon ai.
Sipas Nikës, trafiku mbetet burimi dominues i ndotjes në nivel qyteti, ndërsa aktiviteti intensiv ndërtimor kontribuon veçanërisht në rritjen e grimcave PM10.
“Situata kërkon monitorim të vazhdueshëm të kantierëve dhe kontroll më rigoroz të emetimeve gjatë proceseve ndërtimore”, shton ai.
Urbanistja
Por për urbanisten Doriana Musai, ndotja nuk duhet parë vetëm si problem trafiku apo si pasojë e disa kantiereve të izoluara.
“Vetë raporti evidenton që burimet kryesore të ndotjes janë trafiku i rënduar dhe aktiviteti intensiv ndërtimor, për pasojë ndotja duhet lexuar jo si një fenomen aksidental, por si rezultat i drejtpërdrejtë i modelit të zhvillimit urban që Tirana ka përqafuar, sidomos në dekadën e fundit”, thotë ajo.
“Sa më shumë është densifikuar qyteti përmes ndërtimit intensiv, aq më shumë janë gjeneruar flukse të reja lëvizjeje”
“Sa më shumë është densifikuar qyteti përmes ndërtimit intensiv, aq më shumë janë gjeneruar flukse të reja lëvizjeje, automjete, shërbime dhe presion mbi infrastrukturën ekzistuese. Tirana nuk po përjeton thjesht rritje ndërtimore dhe rritje trafiku paralelisht; ajo po prodhon trafik përmes vetë mënyrës si po ndërtohet”
Sipas Musait, qyteti është densifikuar shumë më shpejt sesa është riorganizuar infrastruktura e lëvizshmërisë, duke krijuar një kontradiktë që reflektohet edhe në cilësinë e ajrit.
Në pothuajse të gjitha pikat e monitorimit, nivelet më të larta të grimcave u regjistruan gjatë periudhës tetor-nëntor.
Arsyet
Ekspertët e lidhin këtë me kombinimin e trafikut të rënduar, aktivitetit ndërtimor, përdorimit të sistemeve të ngrohjes gjatë muajve të ftohtë dhe fenomenit të inversionit termik, kur ajri i ftohtë mbetet i bllokuar pranë tokës dhe pengon shpërndarjen e ndotësve.
Bashkia
Përballë kësaj situate, Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan masash që parashikon krijimin e Zonave me Emisione të Ulëta (Loë Emission Zones – LEZ), elektrifikimin gradual të transportit publik, kufizimin e automjeteve më ndotëse, zgjerimin e rrjetit të biçikletave, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe monitorim më të rreptë të kantiereve të ndërtimit.
Pyetja reale nuk është nëse Tirana po vendos biçikleta apo pemë, por nëse modeli urban që po prodhohet redukton nevojën për makinë”, thotë Musai
Përmasa e problemit reflektohet edhe në faturën financiare të zgjidhjes. Për ta kthyer në realitet objektivin për ajër më të pastër, Bashkia e Tiranës ka vlerësuar se do të nevojiten rreth 71.6 miliardë lekë investime deri në vitin 2040. Dokumenti ndan 7.89 miliardë lekë për ndërhyrje afatshkurtra, 18.75 miliardë lekë për masa afatmesme dhe 45 miliardë lekë për projekte afatgjata, ku përfshihen elektrifikimi i transportit publik, zonat me emisione të ulëta dhe reduktimi gradual i burimeve kryesore të ndotjes në qytet.
Por edhe vetë ekspertët paralajmërojnë se suksesi i këtyre masave do të varet nga mënyra e zbatimit.
“Pyetja reale nuk është nëse Tirana po vendos biçikleta apo pemë, por nëse modeli urban që po prodhohet redukton nevojën për makinë”, thotë Musai.
Nga Dajti, smogu vazhdon të jetë aty.
Por sot ai nuk është më thjesht një perceptim vizual.
Në “21 Dhjetori” Zogu i Zi, Rruga e Kavajës apo tek kryqëzimi i Dibrës me rrugën “Bardhyl”, ndotja ka emër, adresë dhe shifra.
Dhe sipas të dhënave të vetë Bashkisë së Tiranës, vazhdon të thithet çdo ditë nga qindra mijëra banorë të kryeqytetit. /Faktoje.al