Mbledhja e Komisionit të Ligjeve u shoqërua me tensione dhe replika mes deputetit të Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, dhe deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, duke e larguar për disa minuta debatin nga çështjet e rendit të ditës.
Shkëmbimi i akuzave nisi pasi Çaushi komentoi mandatin e Korreshit, duke i thënë: “Mezi fitoi me të shtytur”. Kjo solli reagimin e deputetit demokrat, i cili vuri në diskutim mënyrën se si deputetja socialiste kishte hyrë në Kuvend.
Debati vijoi me tone ironike, ndërsa të dy deputetët shkëmbyen komente lidhur me zonat që përfaqësojnë dhe mandatin parlamentar.
Pjesë nga debati:
Korreshi: “Unë nuk fola për Roskovecin, për ato gjëra në Lushnjë që i di, kam të drejtë. Kur të vij në Roskovec, atëherë ti…”
Çaushi: “Hajde kur të duash.”
Korreshi: “Po më bëre ftesë…”
Çaushi: “Po patjetër, hajde.”
Në këtë moment ndërhyri ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili kërkoi rikthimin e diskutimit te çështjet që po shqyrtonte komisioni.
Manja: “Zoti Korreshi, mbaruat me pyetjet? Vazhdoni me pyetjet.”
Korreshi: “A do më lësh në Lushnjë apo do më çosh në Roskovec?”
Manja: “Rri në Lushnjë më mirë.”
Më pas, Korreshi iu drejtua deputetes socialiste me akuza lidhur me mandatin e saj parlamentar.
Korreshi – Çaushit për mandatin e deputetit: “Ti nuk fitove vetë. I tha Bela asaj: ‘Hiqe këtë’. Nuk e more ti. E dha dorëheqjen një nga Lushnja. Të donin për Gazin. Epo, kujdes me mua! Dha dorëheqjen ajo se i thanë: ‘Alo! Shpejt se do hyjë shoqja Zegjine’. Ta dinë shqiptarët. Ti fitove hiç e hiç, po s’fitova unë.”
Pas ndërhyrjes së kryesuesve të mbledhjes, diskutimet vijuan me rendin e parashikuar të punimeve të Komisionit të Ligjeve.














