Reshjet intensive të shiut gjatë natës të së mërkurës kanë përkeqësuar situatën në kodrën e Currilave në Durrës, ku rrëshqitjet e dheut vazhdojnë të rrezikojnë banesat dhe bizneset turistike të vendosura në këmbët e saj.
Banorët e disa pallateve pranë zonës së njohur si Brryli kaluan orë të tëra jashtë banesave nga frika se masat e dheut të ngopura me ujë mund të zhvendoseshin drejt ndërtesave.
“Dëgjuam thirrjet e disa turistëve që flinin në dy katet e sipërme të hotelit mbi ne,” tha për BIRN Eqerem Ballgjini, administrator i një restoranti pranë rrugës bregdetare.
Restoranti i tij pësoi dëme të konsiderueshme. Mure të shembura dhe masa balte kanë depërtuar në ambientet e kuzhinës, duke dëmtuar pajisjet e gatimit.
“Nuk e di se çfarë do të bëjmë, por besoj se do të largohemi diku tjetër,” tha ai.
Pavarësisht motit të kthjellët të ditës së nesërme, shenjat e rrëshqitjes mbeten të dukshme pas ndërtesave që mbulojnë pamjen e drejtpërdrejtë të kodrës, ku pemë të rrëzuara dhe masa dheu tregojnë përmasat e fenomenit.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e ndërhyrjeve afatgjata po e bën situatën gjithnjë e më të rrezikshme. Prof. Enver Isufi, specialist i bujqësisë, tha se kodra argjilore me lartësi mbi 100 metra ka humbur prej kohësh mbulesën bimore që ndihmonte në stabilizimin e terrenit.
“Mbjellja me akacie, që krijojnë një sistem rrënjor të fortë për të parandaluar lëvizjen e baltës drejt detit, është një zgjidhje,” tha Isufi. Sipas tij, edhe ndërtimi i brezave mbrojtës prej betoni në nivele të ndryshme mund të ndihmojë në frenimin e rrëshqitjeve pas reshjeve intensive.
Megjithatë, rekomandime të tilla nuk janë zbatuar. Në vend të pyllëzimit, në shpatet e kodrës janë ndërtuar të paktën 20 godina të reja dykatëshe mbi një terren që specialistët e konsiderojnë të paqëndrueshëm.
“Kur flas me studentët e mi, këto ndërtime mbi kodrën argjilore i sjell si shembull të zgjidhjeve të gabuara në kushtet e mungesës së qëndrueshmërisë së terrenit,” tha Isufi.
Banorët thonë se rrëshqitjet e dheut janë një problem i hershëm në këtë zonë.
“Njëzet vjet më parë, një bar-restorant mjaft i frekuentuar u shkatërrua duke rrëshqitur thuajse në det,” kujton banori i zonës, Titi Koni. “Më vonë rastet e rrëshqitjeve kanë qenë të shumta,” shtoi ai.
Bardhyli, një banor mbi 70 vjeç, tha se çdo dimër detyrohet të largojë me lopatë baltën që zbret nga kodra drejt banesës së tij njëkatëshe.

Ndërkohë, godina e Rektoratit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, e ndodhur rreth 150 metra larg zonës së prekur, nuk ka pësuar dëme. Sipas punonjësve të administratës, objekti mbrohet nga një mur i lartë betoni i ndërtuar rreth 15 vite më parë pikërisht për të parandaluar pasojat e rrëshqitjeve.
Banorët e prekur presin tani vlerësimin e situatës nga strukturat e emergjencave civile, ndonëse shumë prej tyre shprehen skeptikë për mundësinë e kompensimit të dëmeve.
“Nuk kemi siguri, megjithëse prej shtatë vitesh paguajmë primet e sigurimit në një kompani të njohur,” tha Ballgjini. /BIRN














