Ministria e Shëndetësisë ka miratuar një udhëzues të ri klinik për trajtimin hormonal të personave transgjinorë në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Me tone të forta, deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka denoncuar vendimin, duke lëshuar akuza në drejtim të qeverisë.
Shehu kritikoi ashpër udhëzuesin gjatë një interviste në News24. Sipas Tritan Shehu, përfshirja e të miturve në procedura të tilla është e papranueshme. Ai tha se vendimi është marrë në mënyrë të fshehtë, ndërsa shtoi se vendet europiane janë treguar të kujdesshëm për këtë çështje. Sipas Shehut, në disa raste është shkuar deri te referendumi popullor.
“Këto janë vendime shumë thelbësore. Disa vende perëndimore marrin vendime dhe më pas kthehen pas. Janë çështje shumë të diskutueshme, nuk mund të bëhen këto vendime në një natë të errët, si skutha. Ka vende që këto çështje i kalojnë dhe i diskutojnë në referendume. Ky vendim është ideologjik i të majtës populiste. Të kërkosh që të futësh në këto procedura fëmijë 14 vjeç dhe më pas ta bësh 16 vjeç, është krim. Pra, kemi të bëjmë me diçka që të kërkohet t’i imponohet fëmijës në vendime. Këtu kemi shumë elemente të diskutueshëm dhe nuk mund të dalin në një natë dhe të merret vendimi. Ndryshimi i hormoneve, do të thotë të ndryshon seksin. Por fëmija duhet të jetë në moshë të pjekur kur merr vendime, pasi nuk mund të kthehet pas më. Këtu ka vetëm ‘bla, bla, bla’. Duan të fshehin ngjarjen. Nuk është e vërtetë. Njeriu lind dhe vdes me genderin që ka lindur dhe jo me ato që indoktrinohet.”, tha ai në News24.












