Sektori i peshkimit në Shqipëri do të fuqizohet më tej, në linjë me kërkesat dhe standardet për tregun e Bashkimit Evropian. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka iniciuar disa ndryshime në ligjin për peshkimin, të cilat janë publikuar për konsultim publik.
Projektligji synon forcimin e sistemit kombëtar të kontrollit të peshkimit, përmirësimin e gjurmueshmërisë së produkteve të peshkimit, digjitalizimin e proceseve të raportimit dhe monitorimit, si dhe krijimin e bazës ligjore për përdorimin e sistemeve moderne të monitorimit elektronik në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara synohet gjithashtu forcimi i kapaciteteve institucionale të monitorimit të flotës së peshkimit dhe rritja e eficiencës së mekanizmave për luftën kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar (PPP).
Ndryshimet ligjore parashikojnë krijimin për herë të parë të bazës ligjore për regjistrimin dhe monitorimin e aktiviteteve të peshkimit të ushtruara pa mjete lundruese. Duke synuar formalizmin e këtij segmenti të aktivitetit të peshkimit dhe krijimi i mekanizmave për regjistrimin dhe transmetimin elektronik të të dhënave mbi zëniet.
Risi është detyrimi për mbajtjen e librit elektronik të peshkimit nga kapitenët e anijeve peshkuese, si dhe përcaktimi i niveleve të tolerancës për sasitë e regjistruara të zënieve. Ky ndryshim synon përmirësimin e gjurmueshmërisë dhe saktësisë së raportimit të aktivitetit të peshkimit.
Me ndryshimet e reja ligjore, do të jetë i detyrueshëm instalimi i pajisjeve të monitorimit në bord të anijeve të peshkimit, transmetimin automatik të të dhënave mbi pozicionin e anijeve, përdorimin e sistemeve AIS dhe përjashtimet për kategori të caktuara të flotës së vogël të peshkimit.
Drafti parashikon afate për instalimin e sistemit të monitorimi të anijeve të peshkimit, ku përcaktohet se duhet të instalohen brenda 31 dhjetorit 2027 në anijet me gjatësi të përgjithshme të barabartë dhe më të madhe se 9 metra deri në gjatësinë 11.99 metra dhe brenda 1 janarit 2030 për anijet me gjatësi të përgjithshme nën 9 metra.
Sistemi i monitorimit elektronik në distancë (REM) instalohet në bordin e anijeve të peshkimit me gjatësi të barabarte dhe më të madhe se 18 metra brenda 1 janarit 2030.
Ndërsa parashikohen gjoba për mosinstalimin, apo dëmtimin e tyre nga 200 mijë deri në 500 mijë lekë./ScanTv













