Një operacion i Policisë së Shtetit në Sarandë ka çuar në arrestimin e 8 personave dhe ndalimin e 4 punonjësve të policisë, pas zbulimit të një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi, që dyshohet se është bërë shkak për ngjarje kriminale të ndodhura më herët në qytet.
Sipas informacioneve prona ku po kryheshin punimet ka qenë në emër të Isuf Jaçaj, i cili u vra me shpërthim tritoli në automjetin e tij në tetor të vitit 2025.
Hetuesit dyshojnë se një grup kriminal me bazë në Kamëz mund të ketë qenë i përfshirë jo vetëm në këtë atentat, por edhe në ngjarje të tjera kriminale në zonën e Sarandës.
Ndërkohë, në këtë pronë, e cila dyshohet se është marrë me dhunë nga ky grup, po ndërtohej një “beach bar”, i cili synohej të vihej në funksion për sezonin veror.
Mësohet se për lejimin e kësaj prone dyshohet se është marrë ryshfet nga shefi i komisariatit të policisë Sarandë, Gëzim Bashllari dhe tre vartësit e tij, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, të cilët u ndaluan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Operacioni është zhvilluar pas denoncimeve të mbërritura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që lidheshin me ndërhyrje dhe punime të paligjshme në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar. Objekti i konstatuar përbëhej nga disa struktura, një pjesë e të cilave ishin ndërtuar edhe mbi vijën bregdetare.
Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim një grua që dyshohet se posedonte hapësirën e plazhit dhe për llogari të së cilës po kryheshin ndërtimet./Balkanweb/
LEXO EDHE:














