Në procesin gjyqësor ndaj Artan Tafanit në GJKKO, ka dëshmuar një dëshmitar okular i atentatit ndaj Kujtim Meta, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2022 në Lushnjë.
Dëshmitari deklaroi para trupit gjykues se e njihte Kujtim Metën pasi e kishte në lagje dhe se ditën e atentatit ndodhej në lokal bashkë me vëllanë e tij.
Sipas dëshmisë, ngjarja ndodhi në një lokal pranë stacionit të trenit në Lushnjë, ku dëshmitari konsumonte zakonisht kafen e mëngjesit dhe të pasdites.
Ai tregoi se Kujtim Meta ndodhej dy tavolina larg tij, ndërsa autori ishte i maskuar. Dëshmitari tha se nuk mban mend saktësisht sa afër iu afrua autori viktimës, por vetëm dëgjoi të shtënat e armës.
“Ditën që ka ndodhur atentati ndaj Kujtimit isha me vëëllanë duke pirë kafe hyri dikush me maskë, jam fshehur poshtë tavolinës. E morëm me makinën time e çuam në spital. Lokali ndodhet te stacioni i trenit në Lushnjë.
Pija kafen e mëngjesit aty dhe të pasdites. Ngjarja la ndodhur pasdite. Kam qenë në tavolinë vetëm me vëllanë tim, po pinim kafe. Kujtimi ishte dy tavolina larg meje.
Unë kam qenë në hyrje të lokalit në krah të djathtë, ai ishte në tavolinën përballë derës. Kam dëgjuar vetëm “pau pau” jam shtrirë poshtë tavolinës. Autori ishte i maskuar, nuk e mbaj mend fiks sa afër i shkoi objektivit.
Vëllai kaloi në traumë pas ngjarjes. U largova deri te shkolla, në momentin kur jam kthyer, e kemi marrë dhe çuar në spital. E çuam në spital bashkë me pronarin e lokalit. Kujtimi punonte si shofer transporti”, tregoi ai.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 20 prill 2022.
Autorësinë e këtij atentati e ka marrë Artan Tafani, bashkëpunëtor i drejtësisë, i cili sipas dëshmisë së tij ka deklaruar se urdhrin e ka marrë nga Laert Haxhiu.














