Janë zhvilluar mesditën e sotme, njëra pas tjetrës, seancat për caktimin e masës së sigurimit ndaj 31-vjeçarit Kostandin Vogli dhe 50-vjeçarit Tori Ruci alias Viktor Ruci.
Ishte pikërisht konflikti i pronësisë së këtyre dy personave, për një Beach-Bar në bregdetin e Bashkisë Himarë, ai që degjeneroi më pas në sherr me sende të forta e deri në vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, mbrëmjen e 7 majit në Gjashtë të Sarandës.
I pari që doli para togave të zeza ishte 50-vjeçari Tori Ruci. Ai ishte ndaluar nga policia ditën e shtunë, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Moskallzim i krimit”.
Gjatë seancës për verifikimin e kushteve e kritereve të zbatimit të masës, Gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në shtëpi ”, duke detyruar të dyshuarin të mos largohet nga banesa e tij në fshatin Gjashtë të Sarandës. Ruci rezulton i dënuar edhe më parë për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Më pas prokurorja e çështjes Armida Kaçi dhe gjyqtari Mikel Hysometaj u zhvendosëm në spitalin “Petro Nako” të Sarandës, ku mbahet i shtruar nën masa sigurie, 31-vjeçari Kostandin Vogli, i plagosur me armë zjarri në këmbë.
Prokurorja kishte ngritur ndaj tij tre akuza, konkretisht “Moskallzim i krimit”, “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim dhe “Kanosja” e kryer në bashkëounim. Gjyqtari Mikel Hysometaj pranoi kërkesën e Prokurores Kaçi për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj 31-vjeçarit.
Megjithëse masa u caktua për akuzat e ngritura nga Prokuroria, Gjykata ndau një qëndrim të kundërt me Prokurorin sa i përket çështjes veshjes së faktit juridik.
Për Gjykatën cilësimi i duhur ligjor deri në këto momente, mbi bazën e akteve të paraqitura, duhet të ishte “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Moskallëzim i krimit” dhe “Shkatërrimi i pronës” kryer në bashkëpunim.
Dinamika e Ngjarjes
Sipas deklaratës zyrtare nga polica, Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, kanë shkuar në lokalin e Rexhep Ismailit dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.
Gjatë përplasjes, viktima Rexhep Ismaili dyshohet se ka qëlluar me armë automatike ndaj grupit të Tabakut, ndërsa më pas është qëlluar me pistoletë nga ky i fundit, duke humbur jetën në vend.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi Kostandin Vogli, i cili është vetëdorëzuar ditën e sotme në polici dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet është zbuluar se vëllai i viktimës, Hajredin Ismaili, i cili është proceduar penalisht, ka fshehur armën zjarri automatike me të cilën qëlloi vëllai i ndjerë, së bashku me municion, e cila më pas është sekuestruar nga policia.
LEXO EDHE:
Kush e vrau Rexhep Isamilin? Zbardhet krimi në Sarandë, 6 autorë në kërkim /EMRAT














