Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e dënimit për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja.
Ai u dënua fillimisht me 3 vite heqje lirie, po për shkak të gjykimit të shkurtuar, ju ul 1/2 e dënimit dhe përfundimisht u dënua me 2 vite. Këtë dënim, Çyrbja e ka shlyer.
Gjykata vendosi gjithashtu dënimin e Altin Hajrit, një personazh i dyshuar për krim të organizuar me 3 vjet burg, ndërsa për të pandehurin tjetër, Ahmet Masha u caktua një dënim prej 2 vitesh e 6 muaj burg.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, është liruar nga burgu më 21 shkurt të këtij viti. Çyrbja u gjet fajtor në nëntor të 2025 nga Gjykata e Posaçme për akuzat e korrupsionit në zgjedhje, tregimit të sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit.
SPAK nisi hetimet pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin Sky, ku u gjetën biseda të ish-deputetit me persona të tjerë të skeduar nga policia, për të cilët hetuesit thonë se informoheshin nga ai për operacionet policore, e nga ana tjetër, i ofronin mbështetje dhe vota në zgjedhjet parlamentare.
Ish-deputeti mohoi akuzat dhe kërkoi pafajësi në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por se pretendimi i tij u rrëzua sot.














