Fluksi i lëvizjeve në pikën doganore të Kapshticës ka qenë i lartë gjatë ditëve të fundit, teksa mijëra emigrantë kanë zgjedhur të kthehen në atdhe për të festuar Pashkët pranë familjeve të tyre.
Sipas raportimeve, gjatë 24 orëve të fundit, 7,475 qytetarë kanë hyrë në territorin shqiptar nga Greqia, ndërsa 2,741 persona kanë udhëtuar në drejtim të vendit fqinj. Lëvizjet kanë vijuar me ritme të larta edhe paraditen e së premtes, duke krijuar një volum të konsiderueshëm përpunimi në të dyja anët e kufirit.
Për të përballuar situatën dhe për të shmangur radhët e gjata, policia kufitare shqiptare ka shtuar kapacitetet duke vënë në funksion 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje. Nga ana tjetër, pala greke operon gjithashtu me 3 sportele në dalje, çka ka ndihmuar në menaxhimin më efikas të fluksit.
Ndërkohë, në këtë pikë kufitare ka nisur zbatimi i plotë i sistemit Entry Exit (EES), i cili deri më tani ishte në fazë testimi. Sakaq fluksi i lartë pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.









