Autostrada Tiranë-Durrës është kthyer në kaos dy vitet e fundit për shkak të punimeve për zgjerimin e saj që kanë nisur që në shtator të vitit 2024.
Vjeshtën e shkuar, ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se 6 kilometrat e para të zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës do të hapeshin për qarkullim brenda muajit dhjetor 2025. Segmenti nga Casa Italia deri në mbikalimin e Kasharit, sipas saj, do të kthehej në një autostradë tip A, me 32.5 metra gjerësi, tre korsi në secilën anë dhe një korsi emergjence.
“Ecuria e projektit është shumë e mirë. Pra, faza e parë është 65% ecuria dhe në fazën e dytë 85%. Domethënë ne shpresojmë që për festat e fundvitit ta kemi dorëzuar”, deklaroi Balluku asoskohe.
Megjithatë koha tregoi se puna në terren shkoi përtej pritshmërive optimiste të qeverisë. 6 kilometrat e para të rrugës që lidh kryeqytetin me Durrësin nuk mbaruan në fund të vitit. Dhe si për ironi të fatit, këtë fillim vit, 16% i rrugës që duhet të ishte hapur për qarkullim u bë i pakalueshëm.
Ndërkohë, ditën e sotme, njeriu i Belinda Ballukut, që u emërua në krye te ministrisë se Energjisë dhe Infrastrukturës pas largimit të saj, Enea Karakaçi ka deklaruar se rruga pritet të hapet plotësisht brenda javës së parë të muajit maj.
Sipas ministrit, po vijojnë punimet edhe për dy projektet e tjera, si Bypassi i Tiranës dhe Kashar-Lekaj, ndërsa do të vijojë puna për zgjerimin e pjesëve të tjera të autostradës Tiranë-Durrës.
“Brenda javës së parë të muajit maj ky lot i këtij segmenti do të hapet plotësisht. Ky aks ka rëndësinë e tij për lidhjen e portit të Durrësit me Morinën dhe për lidhjen mes Veriut me hyrjen në Tiranë por edhe sa i takon turizmit. Duhet të theksojmë që në këtë segment po punojmë me disa projekte të tjera si Bypassi i Tiranës dhe segmenti Kashar-Lekaj” deklaroi sot Karakaçi.
Megjithatë mbetet për tu parë nëse rruga e lënë përgjysëm nga Belinda Balluku, do të hapet në fillim të majit, apo do të jetë një tjetër mashtrim i radhës.
Ndërkohë vlen të theksohet se zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me kosto 218 mln euro, por deri më tani ka prodhuar më shumë premtime të parealizuara sesa kilometra të dorëzuar.
LEXO EDHE:
Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës, mashtrimi i radhës i Belinda Ballukut














