Një merkato për notën 10, të paktën deri më tani për Kukësin. Duket pa frena fushata e shit-blerjeve në klubin verilindor që pasi nënshkroi me Sebino Plakun ka siguruar një tjetër element mjaft cilësor.
Sipas Supersport, kuksianët kanë mbyllur akordin me mbrojtësin brazilian William Cordeiro Melo.
24-vjeçari i cili luan në linjën e djathtë është bindur nga drejtuesit e klubit dhe do të jetë shumë shpejt në Shqipëri për të nënshkruar kontratën.
Cordeiro në karrierën e tij ka qenë pjesë e Figuerenses në ligën kryesore të Brazilit, ndërsa ka luajtur edhe në Serinë B braziliane me Clube de Regatas e Ferroviaria.
Edicionin e fundit ishte pjesë e Oestes duke qenë një titullar i padiskutueshëm tek skuadra nga Itapolis.
William është një mbrojtës tipik brazilian, teknik, i shpejtë dhe që parapëlqen të sulmojë.
Drejtuesit e Kukësit pasi kanë studiuar disa takime të tij kanë vendosur ti parashtrojnë ofertën e cila në parim është pranuar nga 24-vjeçari.
Vlera e tij në treg është e rëndësishme, pasi kartoni i Cordeiros kuotohet me shifrën 600 mijë euro, një fakt që meriton të ketë vëmendje.