Bordi i Transparencës në tregun e hidrokarbureve do të mblidhet sot për herë të parë, një javë pas krijimit të tij, në një moment kur çmimet e karburanteve në tregun e pakicës vijojnë të mbeten të larta. Lajmi është konfirmuar nga ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo.
I pyetur nga gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri Demo tha se bordi është duke mbledhur informacion mbi lëvizjen e çmimeve në bursa dhe tregun e pakicës dhe pritet që brenda ditës të dalë me një vendimmarrje konkrete.
Edhe ky bord duket se do jetë një tallje! Bordi ka një javë që është krijuar dhe për një javë duket se nuk kanë mundur që të mbledhin informacione për çmimet në bursa.
Sipas ministrit Demo, qeverisë i duhet ‘kohë për t’u reflektuar’.
“Bordi i Transparencës do të mblidhet ditën e sotme, ku do të ketë një vendim. Bordi është duke marrë të gjithë informacionin për çmimet. Kuptohet që rritja e çmimit të naftës dhe inflacioni që sjell në produkte kërkon një kohë të caktuar. E para është të garantojmë transparencën, jo vetëm me produktet bazë, por edhe me produkte si nafta ose ato që kanë të bëjnë me energjinë. Në treg nuk mund të përdoret kjo situatë në kurriz të qytetarëve”, tha Demo.












