Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama i ka dhene pergjigje sot shqetesimit te madh, per gjithe sa eshte folur se fundi, lidhur me lajmet per ngritjen e nje kampi refugjatesh ne vendin tone.
Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA) Rama ka folur në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, partneritetin strategjik midis dy vendeve, përpjekjet e përbashkëta për të eliminuar kërcënimin e strukturave të organizatës terroriste FETO në Shqipëri, për çështjet e brendshme dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë, si dhe për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.
Duke folur mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë, kryeministri Rama theksoi se është një proces i afirmuar më shumë sesa me dekada në kuptimin sipas tij që prirja e Shqipërisë ka qenë një prirje natyrale drejt Evropës.
“Nga ana tjetër nëse flasim konkretisht sot duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk varet vetëm nga ne, se procesi i integrimit evropian është gjithmonë e më i ndërlikuar dhe njëkohësisht më i paparashikueshëm për shkak të vetë turbullirave të brendshme në vendet e Bashkimit Evropian dhe të erërave kundër zgjerimit dhe kundër vetë Bashkimit Evropian brenda disa vendeve të rëndësishme anëtare. Kështu që përsa na takon do të vazhdojmë punën tonë, pasi për ne procesi i integrimit evropian nuk është një udhëtim për t’u spostuar nga Tirana në Bruksel, por është një udhëtim brenda vetes për t’u modernizuar dhe për të pasur një shtet funksional të standardeve evropiane”, tha Rama për AA
Ndërkohë mes Shqipërisë dhe Greqisë janë mbajtur disa raunde të bisedimeve për kufizimin e zonave detare dhe për çështjet e hapura mes dy vendeve, ndërsa Rama shprehet se është optimist që më në fund do t’i japin drejtim disa proceseve të bartura prej 70 vjetësh mes dy vendeve dhe njëkohësisht disa problemeve që herë pas herë sipas tij i gjejnë në rrugën e vendit për shkaqe të brendshme në Shqipëri apo Greqi.
“Ka patur një proces të vështirë për të arritur deri në uljen në tryezë, por besoj që ulja në tryezë do të dalë me një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet mes vendeve tona dhe në respekt të dinjitetit të njëri-tjetrit”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë në lidhje me bisedimet Shqipëri-Greqi për çështjet e hapura mes dy vendeve.
– “Pretendimet për kamp refugjatësh në Shqipëri nuk janë të vërteta”
Duke folur për pretendimet e fundit për mundësinë e ngritjes së një kampi refugjatësh apo qendre për trajtimin e luftëtarëve të huaj, Rama tha se këto pretendime nuk reflektojnë të vërtetën dhe tha se Shqipëria ka ngritur një qendër e cila është një qendër studimore, programesh, analizash, ndërveprimesh kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe që është propozuar që të zgjerohet në një qendër rajonale, qendër ekselence që ka të bëjë me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe që trajton në rrugë të ndryshme këtë fenomen.
Sipas tij kjo nuk ka të bëjë asgjëkund me ndonjë koncept të një qendre në kuptimin e një qendre grumbullimi njerëzish dhe aq më pak pastaj me “konceptin krejtësisht të pavend dhe madje qesharak të mbledhjes së gjithë ish-ushtarëve të ISIS-it (DEASH) në këtë qendër”.
“Pra është thjeshtë një fantazi. Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë, ndërkohë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë e një bindjeje që vendet e Bashkimit Evropian nuk mund të ja hedhin topi njëri-tjetrit dhe ta lënë barrën e detyrimeve morale që ka Evropa ndaj njerëzve që ikin nga vendet e tyre për shkak të kërcënimit të jetës. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe Shqipëria ka qenë e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta, për aq sa i takon. Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne”, tha Rama.
– “Ne jemi të përkushtuar që influenca negative e FETO-s të mos cenojë misionin që ka arsimi në Shqipëri”
I pyetur për strukturat e organizatës terroriste FETO, që veprojnë në Shqipëri, kryeministri Rama ka pohuar se ka një numër të caktuar shkollash të ndërtuara në të shkuarën që kanë qenë një pikë referimi për prindërit dhe nxënësit.
Siç thotë kryeministri shqiptar, shkollat e FETO-s në të kaluarën kanë ofruar mundësira që Shqipëria nuk është se i ka pasur në të gjithë sistemin në territorin e vet, por se aktualisht qeveria shqiptare është e përkushtuar që “influenca negative e këtyre shkollave” të mos ndikojë në arsimin në Shqipëri.
“Është me shumë rëndësi të kuptohet se ne jemi të përkushtuar për të ofruar një shërbim sa më të mirë arsimor në të gjithë territorin dhe paralelisht patjetër për të mos lejuar që influenca negative të natyrës që ju përmendet (kërcënimit të FETO-s) të kenë hapësirë dhe të cenojnë pikërisht misionin që ka arsimi në Shqipëri”, deklaron kryeministri Rama për AA.
I pyetur më tej për bashkëpunimin dhe përpjekjet midis Shqipërisë dhe Turqisë për të eliminuar kërcënimin e FETO-s, Rama duke iu referuar grusht shtetit të dështuar të FETO-s në Turqi, tha se ajo ngjarje i bën vigjilent dhe shumë të vëmendshëm pasi siguria kombëtare dhe stabiliteti demokratik i vendit është prioritet i prioriteteve.
“Ne jemi shumë të vëmendshëm. Kemi të gjitha arsyet të mbetemi shumë të vendosur në qëndrimin e shprehur që në minutat e para të grusht shtetit se bëhej fjalë dhe bëhet fjalë për një kërcënim serioz, që ne nuk do të donim në asnjë mënyrë ta shikonim, në asnjë formë sado margjinale në vendin tonë”, tha kryeministri shqiptar.
– “Aeroporti i Vlorës synohet të jetë gati në vitin 2020”
Sipas kryeministrit Rama, investimet turke në Shqipëri nuk janë të mjaftueshme. Ai duke theksuar se rritja që kanë konstatuar është e pamjaftueshme, shpreh besim se ka shumë më tepër mundësi për investime turke në Shqipëri.
“Këtë gjë e kam ndarë edhe me presidentin, edhe me kryeministrin, edhe me aktorët e tjerë të politikës apo biznesit në Turqi, duke besuar se vullneti për ta zhvilluar më tutje këtë potencial është i plotë dhe njëkohësisht shumë çka që Turqia ka bërë në 15-20 vitet e fundit është një arsye e fortë për të pasur më shumë bashkëpunim në ekonomi dhe në tregti, pasi janë eksperienca të fituara, transformuese, për të cilat ne kemi realisht shumë nevojë”, deklaron Rama.
Ndërkaq, duke folur për investimet turke në Shqipëri, kryeministri Rama foli edhe mbi ndërtimin e aeroportit të ri ndërkombëtar të Vlorës, investim turk në vend, që pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2020.
“Për sa i përket aeroportit të ri ndërkombëtar në Vlorë, ne jemi në një fazë të avancuar negociatash bazuar në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe synimi është që aeroporti të jetë gati përpara fundit të vitit 2020. Shpresoj që aspektet proceduriale dhe procesi i negociatave të mos zgjaten, në mënyrë që ne të kemi gjithë mundësi që të realizojmë këtë objektiv”, bëri të ditur ai.
Shpallja e Turqisë “partner strategjik” në vitin 2013, siç thotë Rama, ka qenë në programin e Partisë Socialiste (PS) që drejton ai, edhe atë para zgjedhjeve të vitit 2013. Rama shpjegon se synimi ka qenë që Turqia të përfshihej në një trekëndësh të partneritetit strategjik, ku tradicionalisht sipas tij kanë qenë Italia dhe Greqia.
“Me të fituar zgjedhjet, bëmë këtë pjesë të programit tonë qeverisës, me bindjen se tradita e marrëdhënieve dhe njëkohësisht edhe miqësia mes popujve, përfshirë faktin që Turqia është një vend anëtar i NATO-s dhe një vend me një rol të rëndësishëm në shumë aspekte, përbëjnë padyshim një bazë të plotë për këtë hap, një hap që është shoqëruar me një thellim të marrëdhënieve dhe patjetër që do të materializohet ndër të tjera edhe me deklaratën e partnerit strategjik”, thotë Rama.
– “Marrëdhënia me presidentin Erdoğan e ngritur mbi respektin reciprok”
Në lidhje me qëndrimet dhe komentet për marrëdhënien e tij me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, por edhe marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, Rama tha:
“Në politikë nuk ngelet gjë pa u komentuar dhe nëse merresh me politikë duhet të jesh i përgatitur që të gjendesh edhe përballë komentesh apo akuzash të cilat bazohen tek axhendet e atyre që komentojnë dhe akuzojnë, dhe jo te e vërteta. Marrëdhënia ime me presidentin (Erdoğan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën. Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni. Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që ‘po’ është ‘po’ dhe ‘jo’ është ‘jo’”.
– “Zgjidhja Maqedoni-Greqi nuk mund të përjashtojë dakordësinë e faktorit shqiptar”
I pyetur për mosmarrëveshjen rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe nëse Shqipëria qëndron e heshtur në këtë drejtim, kryeministri shqiptar u shpreh se qeveria e tij është akuzuar për të kundërtën, siç tha ai, “për qëndrim invaziv në çështjet e brendshme të Maqedonisë”.
“E vërtetë është se ne në aspektin e emrit inkurajojmë çdo zgjidhje të dakordësuar dhe kemi shumë besim tek qeveria e re maqedonase, e cila ka demonstruar vizion, kurajë dhe vullnet për një zgjidhje. E natyrisht, zgjidhja nuk mund të përjashtojë dakordësinë e faktorit shqiptar dhe jam i bindur se nuk do ta përjashtojë atë”, tha kryeministri Rama, duke iu referuar ndikimit të faktorit shqiptar në mosmarrëveshjen e emrit.
– “Politika e BE-së ndaj Kosovës është një turp i madh”
Duke folur për zhvillimet në rajon, si dhe ndikimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve si një ndër faktorët kyç në Ballkan, kryeministri shqiptar foli edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe për politikën e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në veçanti lëvizjen e lirë të cilën e quajti “turp të madh të Bashkimit Evropian”.
“Dua të them që është një turp i madh i Bashkimit Evropian dhe këtë e kam thënë dhe publikisht, dhe e them gjithmonë që akoma sot populli i Kosovës mbetet i izoluar dhe i vetmi popull në të gjithë kontinentin që nuk ka të drejtë të lëviz lirisht”, thekson Rama.
“Është e vështirë t’ua shpjegosh, në fakt njerëzve në Kosovë, atë që është e pashpjegueshme… si ka mundësi që kur ishin nën një diktaturë nga e cila bën luftë dhe paguan me shumë sakrifica dhe humbje jetësh lirinë e tyre, lëviznin lirisht dhe sot që janë në shtetin e tyre sovran dhe të njohur nga pjesa e madhe e vendeve evropiane dhe nga të gjitha fuqitë e mëdha, ata janë i vetmi popull që nuk ka të drejtë të lëvizjes. Ky është një turp”, shton Rama për AA.
Sa i përket qëndrimeve të Bashkimit Evropian në raport me pavarësinë e Kosovës dhe në raport me dialogun, Rama shpreh mendimin se qëndrimet janë të duhura dhe beson se u takon udhëheqësve të Kosovës që të udhëheqin këtë proces.
“Shqipëria ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë pa folur asnjëherë në emër të Kosovës, por duke folur në çdo rast për Kosovës”, shprehet Rama.
– “Islamofobia, mallkim i kësaj kohe të re”
I pyetur për turkofobinë dhe islamofobinë në rajon, kryeministri i Shqipërisë tha se islamofobia është një mallkim i kësaj kohe të re.
“Edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian forca apo individë të caktuar i fryjnë këtij zjarri shumë të rrezikshëm duke bërë një padrejtësi të madhe, jo vetëm ndaj fesë islame, por ndaj njerëzve, ndaj popujve, ndaj komuniteteve, familjeve që besojnë tek Islami dhe përfaqësojnë të gjithë gjerësinë dhe butësinë e Islamit. Shprehjet e islamofobisë apo turkofobisë janë shprehje të një padije dhe të një arrogance që buron në radhë të parë nga padija. Të godasësh fenë islame dhe të mbash qëndrime islamofobe do të thotë në fakt të godasësh një rrënjë të rëndësishme të pemës së shqiptarisë dhe të vetë burimit, burimit të ekzistencës së kombit tonë”, shprehet Rama.