Aktivistë dhe qytetarë protestuan mbrëmjen e sotme para Kuvendit kundër vendimit të mazhorancës për të mos hequr imunitetin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Protesta u thirr nga Lëvizja Bashkë, e cila kërkon që Balluku të përballet me drejtësinë pas kërkesës së SPAK që po e heton për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tenderë.
“Jo imunitet për hajdutët” ishte thirrja kryesore në protestë.
Vendimi i mazhorancës socialiste për imunitetin e Ballukut, sipas protestuesve, është përpjekje për të mbrojtur “pisllëqet që ka bërë me Edi Ramën, në kurriz të popullit shqiptar”.
Kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, ironizoi në nisje të fjalës së tij se, sipas Ramës, lufta ndaj korrupsionit është shkelje e të drejtave të njeriut.
“Arsyet pse ai e mbron Ballukun janë dy: së pari, për t’u treguar qindra ‘Ballukëve’ të tjerë në PS që të vazhdojnë të vjedhin të qetë, sepse reforma në drejtësi i ka ditët e numëruara. Së dyti, sepse nuk do që nesër të jetë i detyruar të vetëdorëzohet para drejtësisë kur SPAK të kërkojë imunitetin e tij”, u shpreh Qori.
Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut pritet të votohet nesër në Kuvend. PS është shprehur se do të votojë kundër. Balluku akuzohet për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tenderë.














