Është zhvilluar mesditën e kësaj të marte në Gjykatën e Posaçme, seanca për ish-ministrin Ilir Beqaj për dosjen “Sterilizimi”.
Mësohet se në seancë, Beqja ka deklaruar se nuk i është komunikuar ende akuza e re, as me shkrim e as gojarisht. Sipas tij, qëllimi i prokurorëve është dëmtimi i tij, pavarësisht nga përmbajtja e akuzës.
“Mua ende nuk më është komunikuar akuza e re, as me shkrim, as me gojë. Nëse doni, mund të hapim audion e seancës. Aty asnjë nga prokurorët nuk e ka shqiptuar me gojë akuzën e ndryshuar. Mesa duket, qëllimi i prokurorëve është të dënohet Ilir Beqaj, nuk ka rëndësi për ta cila është akuza.”- është shprehur Beqaj.
Ndërkohë avokati i Beqajt u shpreh se ende nuk u është vënë në dispozicion aktakuza e korrigjuar e SPAK, ç’ka sjell sipas tij pengim për të bërë mbrojtje efektive.
“Deri më sot, ne ende nuk na është vënë në dispozicion akuza e korrigjuar nga SPAK, nga momenti që GJKKO ftoi prokurorët të bëjnë korrigjime dhe saktësime. Në procesin tjetër, prokurorët thanë se akuza e saktësuar është procesverbali i seancës kur gjykata kërkoi saktësim.
Në këtë gjykim ne kemi mësuar se procesverbal është audio i seancës. Ne e kemi dëgjuar audion e asaj seancë. Në audio nuk i është lexuar ndonjë akuzë z. Beqaj dhe as Beqaj nuk ka thënë që e dëgjoi akuzën.
Kjo situatë na pengon të bëjmë mbrojtje efektive. Ne nuk kemi në dorë akuzën e korrigjuar dhe të saktësuar”, tha avokati.














