Situata në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet ndjeshëm pas sulmeve të koordinuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Izrael ndaj Iran, të cilat janë pasuar nga kundërpërgjigje me raketa dhe dronë.
Bahreini konfirmoi se selia e Flotës së 5-të të Marinës amerikane në Manama u vu në shënjestër të një sulmi me raketa nga Irani. Sirenat e emergjencës u aktivizuan edhe në Kuvajt, ndërsa shpërthime u dëgjuan në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se një raketë iraniane u kap nga sistemi mbrojtës Patriot para se të arrinte territorin e vendit. Katari, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbyllur hapësirat ajrore për arsye sigurie.
Në të njëjtën kohë, forcat izraelite kanë goditur pozicionet e Hezbollahut në Liban, duke akuzuar grupin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit. Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane konfirmoi lëshimin e raketave dhe dronëve drejt Izraelit si pjesë e kundërpërgjigjes.
Sipas raportimeve zyrtare, deri tani janë konfirmuar të paktën 6 viktima. Pesë nxënëse humbën jetën në qytetin Minab, në provincën Hormozgan të Iranit, pasi një shkollë fillore për vajza u godit gjatë sulmeve, sipas agjencisë iraniane Fars. Një viktimë tjetër u regjistrua në Abu Dhabi, ku një shtetas aziatik humbi jetën pasi u godit nga mbetje raketash të ndërprera nga sistemet mbrojtëse.














