Vëllai i mbretit Charles, princi Andrew Mountbatten Windsor është arrestuar nga autoritetet, pasi dyshohet për shpërdorim të detyrës, në lidhje me dosjen e Epstein.
Ngjarja vjen pasi policia britanike njoftoi se po shqyrton një ankesë lidhur me pretendimet për shpërndarjen e materialeve konfidenciale nga Windsor te i ndjeri, i dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
“Si pjesë e hetimit, sot (19/2) kemi arrestuar një burrë rreth të gjashtëdhjetave nga Norfolk, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës në zyrë, dhe po kryejmë kontrollime në adresa në Berkshire dhe Norfolk. Burri mbetet në paraburgim policor në këtë moment.
Ne nuk do të zbulojmë emrin e të arrestuarit, sipas udhëzimeve kombëtare. Ju lutemi gjithashtu mbani mend që ky rast është aktualisht aktiv, prandaj duhet kujdes me çdo publikim për të shmangur shkeljen e gjykatës”, thuhet në njoftimin e policisë britanike, sipas BBC.
Starmer ishte një nga figurat e fundit të nivelit të lartë që ushtroi presion mbi Andrew, duke bërë thirrje që ai të dëshmojë zyrtarisht për lidhjet e tij.
Sipas mediave të huaja, në një rast ish-princi Andrew dhe Jeffrey Epstein i kërkuan një balerine ekzotike të “përfshihej në akte të ndryshme seksuale” në shtëpinë e të ndjerit.
Në një letër të publikuar si dokument i pjesës më të fundit të dosjeve të Epstein, avokatët e gruas së paidentifikuar thanë se asaj i ishin ofruar 10,000 dollarë për të kërcyer dhe se pasi ajo performoi, Epstein dhe Mountbatten-Windsor kishin kërkuar marrëdhënie seksuale në grup.














