Në vitin 2023, pas një beteje dhjetëvjeçare dhe shumë bujë, Vjosa, 272 kilometër e gjatë, u shpall parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë, mbrojtja e së cilës me sa dukej, u garantua përgjithmonë.
Megjithatë edhe pse kanë kaluar tre vite që nga ajo ditë, qeveria nuk ka mundur ta mbrojë dot lumin e fundit të egër të Europës dhe aktualisht, shumë rreziqe i kanosen këtij lumi, duke nisur që nga mbetjet e bitumit, derdhjet e naftës, por gjithashtu edhe marrja e ujit për ta çuar nga fshatrat, drejt resorteve të luksit.
Nga Tepelena deri në Selenicë, nga brigjet e Shushicës deri tek grykëderdhja në Adriatik, çdo hap rrëfen një presion të ri, të pamundur për t’u fshehur.
Larg të qenit një tërësi lumore e paprekur, i gjithë Parku sot është nën kërcënim të madh.
Ndaj në vend të qetësisë që do të duhej të ofronte një park kombëtar, përgjatë rrugës gjenden kantierë betoni, makina të rënda që zhveshin shtratin e lumit, derdhje nafte, tuba të mëdhenj dhe grumbuj mbeturinash.
Pjesa më e madhe e dëmit që po i bëhet lumit, i cili buron në malet Pindus të Greqisë dhe derdhet në Adriatik, sipas Olsi Nikës, drejtor i Eco Albania, organizata që prej 8 vitesh mbron Vjosën, lidhet drejtpërdrejt me bumin e turizmit që Shqipëria ka pësuar vitet e fundit.
“Parku Kombëtar i Vjosës është në rrezik serioz. Shtimi i numrit të turistëve, por edhe zhvillimet ndërtimore në zonë të mbrojtur, përkthehen në mbetje të shtuara urbane. Gjithashtu ka shtuar projektet për marrjen e ujit. Të dy këto faktorë duhen adresuar në mënyrë që minimizohet efekti i tyre në mjedis.”, shprehet Nika.
Vetëm në vitin 2024, numri i vizitorëve në Shqipërinë me 2.4 milionë banorë, shkoi gati në 12 milionë. Kjo shtoi nevojën për ujë, sidomos për resortet e luksit, por edhe bujqësinë.
Struktura e parë që haset në terren për marrjen e ujit ndodhet në hyrje të degës së Shushicës. Beton i derdhur në shtratin e lumit, makina të rënda të parkuara mbi zhavorr, copa stirofomi që notojnë mbi ujë. Tuba të mëdhenj, gati për t’u vendosur në strukturë.

E gjitha kjo, sipas ekspertëve, do të shërbejë për të devijuar miliona litra ujë nga lumi drejt fshatrave dhe më pas drejt resorteve të bregdetit.
Leonard Soten, menaxher i projektit të Euronatur për mbrojtjen e Vjosës, thotë se fakti më shqetësues është se paratë që financojnë këtë projekt, janë nga qeveria gjermane. Sipas tij, sa herë që kthehet në Shqipëri, situata vetëm sa përkeqësohet.
Ndonëse qeveria krenohet në Bashkimin Europian për mbrojtjen e Vjosës, në realitet organizatat mjedisore në Shqipëri enden gjykatave prej një viti e gjysmë, të pamundur për të gjetur zgjidhje.
Në rrëzë të fshatit Gjonçaj, në Fier, një tjetër plagë shfaqet e heshtur.
Që prej vitit 1956, aty funksionon një nga veprat më të mëdha vaditëse në vend: kanali Vjosë–Levan–Fier. I ndërtuar nga ish të burgosur politikë, ai devijon një sasi të madhe uji nga lumi për të vaditur mbi 15 mijë hektarë tokë në Myzeqe. Për bujqësinë, është jetik. Për Vjosën, sipas hidrobiologëve është kërcënimi më serioz.

Sipas Nikës, parashikimet e Eco Albania për të ardhmen lidhur me sasinë e ujit janë alarmante, kjo pasi ndryshimet klimatike parashikojnë një ulje prej 30% të prurjeve deri në vitin 2050, ndaj kërkohet me domosdoshmëri ndërhyrja e qeverisë.
“Dy janë elementët kryesorë të një ekosistemi lumor: rrjedha e ujit dhe transporti i sedimenteve. Nëse cënohet njëri, lumi dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme.”
Për qeverinë shqiptare, duke qenë se faji për ndryshimet klimatike i përket ndotësve të mëdhenj, përgjegjësia nuk qëndron mbi të.
“Barra e aksionit për klimën vazhdon të bjerë në mënyrë shpërpjesëtimore në shpatullat e vendeve në zhvillim, pavarësisht kontributit tonë minimal në këtë krizë ndërkohë që ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin e tyre për të na dhënë leksione, por jo për t’u ndalur vetë”, u shpreh kryeministri Edi Rama përgjatë Samitit për Climën COP 28.
Duke iu referuar Vjosës, Rama tha se “i pagëzuari lum i fundit i egër i Europës është shpallur Park Kombëtar në Shqipëri. Ishte për të qeshur sidoqoftë, sepse më të mëdhenjtë e më të pasurit rreth nesh në Europë, që kanë zbutur të gjithë lumenjtë e tyre na dhanë leksione gjatë gjithë kohës se sa e rëndësishme ishte të kishim një lumë të egër në Europë, por s’ka rëndësi, të qeshësh është mirë dhe angazhimi ynë është i fortë dhe real ndaj ne e bëmë dhe jemi plotësisht të përkushtuar që të vazhdojmë kështu.”
Mirela Kumbaro, ish-ministre e mjedisit e Shqipërisë, refuzon t’i përgjigjet interesit të mediave shqiptare lidhur me situatën në Vjosë, megjithatë për mediat ndërkombëtare thotë se devijimi i ujit filloi në vitin 2019, katër vjet para se të shpallej park kombëtar, dhe se “studime të pavarura” kanë zbuluar se nuk do të dëmtojë biodiversitetin e lumit ose integritetin ekologjik të parkut.

Por kjo deklaratë hidhet poshtë nga ekspertët e Euronatur. “Lumi cënohet drejtpërdrejt nga marrja e ujit”, shprehet Soten.
Turizmi veç nevojës për ujë, sipas Nikës ka shtuar edhe mbetjet, por edhe menaxhimin problematik të tyrë buzë Vjosë. Një grumbull gjgant mbeturinash ngrihet në Majkosh, në Bashkinë e Tepelenës.

Një tjetër gënjeshtër del në pah nga qeveria për këtë mal me mbetje. Në postimin e realizuar në rrjetin social në nëntor 2025 të Ministrisë së Mjedisit rezulton se pranë kantierit ku po ndërtohet qendra multifunksionale e Vjosës nuk ekziston asnjë sasi mbetjesh. Por në pamjet e realizuara vetëm një ditë më pas nga organiza Eco Albania, vendgrumbullimi është po aty.
Ministria përdori editim brenda videos për të mbuluar malin e mbetjeve. Kjo provohet edhe nëpërmjet kontrollit të materialeve me platformën Image Forencis.

Pavarësisht se udhëzimet kanë qenë të qarta nga BE lidhur me menaxhimin e mbetjeve, është e qartë se në këtë zonë, nuk ka diferencim të materiale vedhe as riciklim.
Nika, i cili së fundmi ka fituar edhe një çmimin “Goldman” për mbrojtjen e Vjosës, thotë se si ky vendgrumbullim, ka edhe të tjerë përgjatë brigjeve të Vjosës.
Por kjo është vetëm ndotja që shihet. Në Vjosë përfundojnë çdo ditë edhe ujërat e patrajtuara të shtatë bashkive përgjatë luginës.
Edhe pse në vitin 2023, ministrja Kumbaro premtonte “pajisjen e të gjitha bashkive që derdhen në lumin e Vjosës me impante të trajtimit të ujërave të ndotura”, ende ky investim në 2026, nuk ka ndodhur.
Një ndalesë tjetër që provon se Vjosa nuk po trajtohet si Park Kombëtar është në Selenicë, një zonë e njohur për burimet e naftës dhe bitumit që prej dekadash. Në dukje gjithçka është e qetë, por po të afrohesh në brigjet e lumit, njolla të zeza lundrojnë mbi sipërfaqe. Mbi 150 puse nafte ende aktive, shumë prej tyre të vjetra e të amortizuara, vazhdimisht derdhin naftë në tokë dhe ujë.

Ndërsa e quan situatën një katastrofë, Leonard Soten thotë se nga hera e fundit, për shkak të presioneve mediatike, kompanitë që operojnë në këtë zonë, kanë bërë një pastrim mbi sipërfaqen e ujit, por që nuk mjafton.
Si për të, ashtu edhe për Nikën, përgjegjësia bie mbi qeverinë.
Po aq problematike është edhe nxjerrja e zhavorrit. Për dekada, shtrati i Vjosës është gërryer, duke ulur nivelin e ujërave nëntokësore dhe duke shkatërruar habitatet e brigjeve. 36 impiante nxjerrjeje janë identifikuar përgjatë lumit dhe degëve të tij.
Në politikë, shpallja e Vjosës si Park Kombëtar u pa si një fitore e madhe, një shembull i Shqipërisë që bëhej mbrojtëse e natyrës.
Por e vërteta qëndron ndryshe, pasi lumi sot kanoset nga dhjetëra rreziqe, të cilat nuk i tremben emërtesës në letër, por vetëm masave në realitet./ Oliverda Allmuça














