Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Jeffrey Epstein nuk ka qenë kurrë spiun apo agjent i Izraelit, duke hedhur poshtë teoritë e konspiracionit që kanë qarkulluar prej vitesh në internet.
Në një postim në platformën X, Netanyahu u shpreh se marrëdhënia e ngushtë mes Epstein dhe ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak dëshmon, sipas tij, pikërisht të kundërtën e pretendimeve për lidhje me inteligjencën izraelite.
“Marrëdhënia jashtëzakonisht e ngushtë e Jeffrey Epstein me Ehud Barak nuk sugjeron se ai ka punuar për Izraelin. Kjo dëshmon saktësisht të kundërtën”, shkroi Netanyahu në anglisht.
Në të njëjtin reagim, kryeministri izraelit sulmoi ashpër Barakun, duke pretenduar se ish-rivali i tij politik ka tentuar për vite me radhë, në mënyrë obsesive, të minojë demokracinë izraelite, duke bashkëpunuar me atë që ai e cilësoi si e majta radikale anti-sioniste, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur.
Deklaratat e Netanyahut erdhën pas publikimit të fundit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë të miliona dokumenteve të brendshme që lidhen me Epstein. Dokumentet konfirmojnë marrëdhëniet e tij me një numër figurash të njohura nga politika, financat, akademia dhe biznesi, përfshirë edhe Ehud Barakun.
Baraku ka shërbyer si kryeministër i Izraelit nga viti 1999 deri në vitin 2001 dhe më pas si ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Netanyahut nga viti 2009 deri në vitin 2013. Marrëdhëniet e tij personale dhe të biznesit me Epstein janë të njohura prej vitesh, por deri më tani nuk ka prova që të vërtetojnë paligjshmëri nga ana e ish-kryeministrit.














