Ndonëse në Shqipëri martesat tek të miturit nën 18 vjeç janë më të ulëta se ato në rang global, sërish fenomeni është prezent dhe më i përhapur te vajzat.
“Martesat në moshë të hershme tek vajzat janë më të shpeshta si raste në kulturën tonë, kjo edhe për shkak të një të kaluare ku mendësia e lidh martesën me familjen e burrit dhe me gjetjen e vendit të vajzës. Ka qenë kryesisht e njohur për këtë gjini. Edhe familjet kryesisht të varfra e shikojnë martesën e hershme të vajzës si një rrugëdalje nga varfëria. Të tjera familje mendojnë se vajza e ka vendin tek burri”, thotë sociologia Entela Binjaku.
Në vendin tonë janë afro 2 mijë martesa në grupmoshën 15-19 vjeç dhe prej tyre 86% janë vajza të martuara në këtë grupmoshë dhe 14% janë djem.
“Shpeshherë djemtë parapëlqejnë vajza pak më të reja në moshë, duke kaluar edhe këtë kufi të maturisë. Djemtë shqiptarë parapëlqejnë të martohen në mosha më të rritura, kjo duket edhe në rritjen e moshës mesatare të martesës tek djemtë. Martesa është një institucion shumë i rëndësishëm që kërkon një përgjegjësi të madhe dhe djemtë e marrin kur ndihen të pjekur fiziologjikisht dhe mendërisht, si dhe kanë më shumë përvojë nga jeta”, shton Binjaku.
Në vend, martesat në moshë të hershme zënë 1.4% të popullatës. Sipas OBSH, vajzat e martuara nën këtë moshë, përveç riskut për shtatzëni të hershme, rrezikojnë të bien pre e dhunës, braktisjes së shkollës si dhe përjetimit të disa problemeve shëndetësore./tvklan














