BUJAR NISHANI
Të dashur miq, shteti ynë i përbashkët është futur në kolaps të plotë. Është futur shteti në kolaps sepse janë në kolaps shtyllat e tij kryesore, mekanizmat e funksionimit të tij. Është futur në kolaps ekonomia. Prej disa vitesh nuk flitet për “investime”, as si politikë e as si realitet. Motori i një ekonomie që zhvillohet është politika e investimeve, kryesisht në sektorët e prodhimit por dhe në infrastrukturë dhe shërbime. Investimet zero!
E vetmja para që lëvrohet me shumicë është valuta e huaj si produkt i trafikut të narkotikëve. E vetmja fushë që kjo lloj paraje cek, është betonizimi, jo vetëm si politikë e mbytjes dhe ndotjes urbane por dhe si pastrim i pisllëkut kriminal të parasë ilegale.
Fundi i tunelit të kësaj rruge mbetet tmerrësisht i errët, i destinuar për përplasje fatale. Infrastruktura asnjë investim, (sheshet e disa qyteteve përfshirë Tiranën përveçse një shëmti urbanistike rezulton të jetë dhe një shpërdorim marramendës i parave të shqiptarëve. Preventiva miliardëshe me çmimet e luksit evropian dhe punime të skaduara brenda viti, që nga palmat e thara tek pllakat e thyera dhe gropat e hapura.
Paratë e spitaleve, pensioneve, rrogave, ilaçeve, kopshteve e çerdheve të fëmijëve, të shpërdoruara dhe grabitura si % korrupsioni në këtë spekulim të propagandës së fasadës për mashtrim publik dhe elektoral. Rrogat dhe pensionet; asnjë përmirësim në 5 vite, por pakësim në raport me rritjen e çmimeve, taksave dhe korrupsionit në marrjen e shërbimeve.
Asnjë investitor i huaj!
Mbyllje të biznesit të vogël dhe të mesëm dhe largim në emigracion i fuqisë më energjike të punës dhe trurit më të ri. Kolaps i institucioneve te shtetit!
Shkatërrimi i institucionit të zgjedhjeve përmes injektimit dhe kalcifikimit të kulturës së blerjes së votave nga grupet e të fortëve të licencuar për “biznesin” e hashashit, heroinës, kokainës dhe tenderëve të parave publike.
Politizimi ekstrem, nepotizmi dhe korrupsioni i të gjitha niveleve ka atrofizuar totalisht administratën e institucioneve të qeverisë. Shërbimi më jetik për njeriun, ai shëndetësor është shndërruar në një monstër ku në vend të lehtësimit dhe shërimit të vuajtjeve ato shtohen e rëndohen.
Institucionet e drejtësisë janë futur në kolaps total dhe kontroll të plotë partiak duke e kthyer Shqipërinë në një Zuzuland unikal ku Gjykata Supreme dhe ajo Kushtetuese janë nxjerrë jashtë funksionit duke i shpërbërë dhe Shqipëria është kthyer i vetmi vend në botë ku pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ (i njehsuar me atë ekzekutiv në fakt) nuk kanë kurrfarë kontrolli ligjor.
Prokuroria e Shteti pas 25 vitesh të lindjes së shtetit ligjor u kthye totalisht deri në kufijtë e qesharakes, në një zyrë avokatie të qeverisë dhe atyre anëtarëve të maxhorancës qeverisëse të kapur në flagrancë në skandale dhe krime penale.
Policia e Shtetit e tradhtuar dhe paralizuar legjitimiteti i të cilës i shndërruar si një bucelë argjile që mund të përplaset në tokë në çdo moment nga duart e pakontrolluara të narkomanëve që justifikimin e papërgjegjshmërisë së tyre e kanë të garantuar tek modeli i kreut të Ministrisë së Brendshme, familjar i veprimtarisë së trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Kjo tradhti dhe paralizë e policisë së shtetit nuk konfirmohet vetëm nga intensiteti i frikshëm i krimeve aq të përhapura si vjedhjet masive të shtëpive dhe bizneseve të qytetarëve apo trafikut të kanabisit të magazinuar prej një viti e që s’ka të ndalur, nga vrasjet që po shtohen çdo mesdite qyteteve të vendit, por më së shumti tek modeli zyrtar që dikton i pari qeverisë në imponimin përmes dhunës që të jep pushteti autokrat, se kush duhet të hetohet, si duhet të hetohet, çfarë akuze i duhet bërë, sa dhe si duhet të dënohet dhe se tek kush nuk duhet guxuar të afrohet hetimi dhe zbatimi i ligjit.
Policinë, prokurorinë dhe gjykatën jo vetëm i paralizoj totalisht shfaqja tragji-komike e Kryeministrit “me ekspertizën anonime” të përgjimit audio të vëllait trafikant të Ministrit të Brendshëm dhe përpëlitjet e sforcuara të taborit të agjitatorëve qeveritarë, por tashmë deri në rikthimin e shtetit në Shqipëri ato janë inegzistente “de facto”.
Sensi i gjendjes psikologjike të qytetarëve në ngërç të pa ndeshur kurrë më parë!
Paralizë totale e energjive pozitive të shqiptarëve. Humbja e shpresës dhe besimit ka zëvendësuar dëshirën, ambicien, angazhimin dhe përpjekjet.
Udhëkryq më të mjegullt s’kanë patur kurrë Shqipëria dhe shqiptarët.
Këto, padyshim janë konstatime që i bën gjithkush sot.
Këtë kolaps të shtetit e sheh dhe e prek secilin prej nesh sot.
Por dhe përgjegjësitë për shpëtimin e tij janë tek çdonjërit prej nesh sot, të dashur miq!
Angazhimi qytetar e civil për interesin e fëmijëve dhe të nesërmes ndryshe është intubimimi i vetëm për oksigjenin që do rikthejë shtetin në Shqipëri.