Të dhënat më të fundit të publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për tremujorin e tretë të vitit 2025 konfirmojnë një transformim të qartë të tregut të komunikimeve elektronike në Shqipëri, ku rritja e konsumit të internetit dhe kalimi drejt planeve paspagim po shoqërohen me rënie strukturore të SMS-ve dhe telefonisë fikse.
Në fund të tre-mujorit të tretë 2025, numri i pajtimtarëve celularë sipas kartave SIM arriti në 3.39 milionë, duke shënuar rritje tremujore prej 3.8%, por një rënie të ndjeshme vjetore prej 10.2%. Ky kontrast reflekton kryesisht pastrimin e tregut nga kartat joaktive dhe konsolidimin e bazës reale të përdoruesve. Numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare ishte rreth 2.75 milionë, në rritje me 10.4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por me një rënie të lehtë prej 2.1% ndaj tre-mujorit të tretë 2024.
Veçanërisht domethënëse është rritja e përdoruesve aktivë të internetit broadband nga rrjetet celulare, që arritën në rreth 2.35 milionë, me një rritje tremujore prej 11.9%. Kjo tregon se telefoni inteligjent po konsolidohet si mjeti kryesor i aksesit në internet për një pjesë të madhe të popullsisë. Paralelisht, vijoi kalimi nga planet parapagim drejt paspagimit dhe planeve hibride: në tre-mujorin e tretë 2025 raporti ishte 59% paspagim kundrejt 41% parapagim, nga 37% paspagim një vit më parë.
Nga ana e trafikut, të dhënat flasin qartë për “epokën e të dhënave”. Sasia e trafikut të internetit celular arriti në rreth 73 milionë GB, me rritje 18.5% krahasuar me tre-mujorin e dytë 2025 dhe gati 20% në baza vjetore. Në të kundërt, thirrjet dalëse totale mbetën në rreth 1 miliard minuta, me rënie të lehtë si tremujore ashtu edhe vjetore, ndërsa SMS-të vijuan tkurrjen, duke zbritur në rreth 89 milionë mesazhe, me rënie 6.1% krahasuar me T3 2024.
Këto zhvillime reflektohen edhe në konsumin mesatar mujor për përdorues aktiv: gjatë T3 2025, një përdorues konsumoi mesatarisht 10.41 GB internet në muaj, 129 minuta thirrje dhe vetëm 11 SMS. Krahasuar me një vit më parë, konsumi i internetit u rrit me mbi 21%, ndërsa SMS-të vijuan rënien, duke konfirmuar zhvendosjen e komunikimit drejt aplikacioneve digjitale.
Edhe në rrjetet fikse, trendet janë të qarta. Numri i pajtimtarëve me akses broadband nga rrjete fikse arriti në rreth 711 mijë, me rritje 7.1% vjetore. Megjithatë, struktura e tregut po ndryshon: 58.3% e pajtimtarëve janë tashmë “Internet only”, një kategori që u rrit me 14% krahasuar me T3 2024. Në të kundërt, paketat e integruara që përfshijnë edhe telefoninë fikse vijuan rënien.
Telefonia fikse mbetet segmenti më në rënie të tregut. Në T3 2025, numri i pajtimtarëve zbriti në rreth 155 mijë, me rënie 7.5% në baza vjetore, duke reflektuar zëvendësimin pothuajse të plotë të saj nga shërbimet mobile dhe aplikacionet e komunikimit online.
Në tërësi, statistikat e AKEP për T3 2025 tregojnë një treg gjithnjë e më të orientuar drejt internetit, të dhënave dhe shërbimeve digjitale, ku vlera po zhvendoset nga volumi i thirrjeve dhe SMS-ve drejt konsumit intensiv të broadband-it, si në rrjetet celulare ashtu edhe në ato fikse. Ky transformim pritet të thellohet më tej, në përputhje me rritjen e përdorimit të shërbimeve online, video-streaming dhe aplikacioneve të komunikimit në vitet në vijim./ekofin.al














