Gazetari Basir Çollaku ka publikuar një denoncim të rëndë, ku pretendon se një oficer karriere i Shërbimit Informativ Kombëtar është rrëmbyer dhe torturuar, pasi kishte depozituar materiale komprometuese mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në një qark të rëndësishëm të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Çollaku shkruan se ngjarja ka ndodhur rreth katër apo pesë muaj më parë dhe se oficeri është tradhtuar nga vetë eprorët dhe kolegët e tij, të cilët dyshohet se kanë dekonspiruar informacionin te krimi i organizuar.
Sipas denoncimit, oficeri kishte punuar për një kohë të gjatë në identifikimin e veprimtarive kriminale dhe rrjeteve të trafikut. Pas grumbullimit të të dhënave, ai kishte përgatitur një relacion të detajuar me emra dhe fakte, të cilin e kishte depozituar në sistemin zyrtar të institucionit, me qëllim që të përcillej për hetim në Prokurori.
Postimi i Basir Çollakut
Merret peng e torturohet nga bandat oficeri i SHISH, tradhëtohet nga eprorët
Merret peng e dhunohet oficeri i karrierës së Shërbimit Informativ Kombëtar, në një qark të rëndësishëm në jug të vendit. Jo më tepër se katër apo pesë muaj. Shitja te Krimi i Organizuar, bëhet nga eprorët dhe kolegët. Interesat i dinë ata.
Krimi, mafia dhe pushteti, është thuajse e pamundur t’i ndash ku nis njëri dhe ku mbaron tjetri. Ata ndajnë prej vitesh fatkeqësisht zyrë të njëjtë, atë publike. Oficeri kishte punuar një periudhë të konsiderueshme duke identifikuar e gjurmuar aktivitetin e paligjshëm të grupeve kriminale, të trafiqeve të shumëllojshme. Pasi ka grumbulluar informacion shumë të vlefshëm për hetimin, si indicie serioze me emra dhe fakte bindëse, ka përpunuar një relacion për zyrën e tij. Ka bërë gati materialin informues dhe e ka hedhur në sistem, që më pas eprorët ta vlerësonin për kallzim në Prokurorinë përkatëse, sipas veprës dhe personave të përfshirë dhe të dyshuar, se e kanë konsumuar atë. Me bindje profesionale ka shpresuar se ngjarja do të investigohej dhe elementët e krimit të organizuar do të përballeshin me drejtësinë.
Ka qenë një iluzion fatkeq dhe me pasoja për zyrtarin e shërbimit. Pak kohë pasi ka përcjellë të dhënat në sistem dhe ka dalë nga zyra personat e denoncuar, i kanë zënë pritë dhe e kanë marrë peng. E kanë çuar në një zonë periferike larg vëmendjes së vëzhgimit të mundshëm dhe e kanë rrahur e torturuar. Më pas e kanë braktisur duke e zhveshur dhe lënë rrugëve. Ka mbetur i tronditur nga pabesia institucionale, pasi nuk besonte se kolegët e kishin shitur te bandat e trafikantët. Drejtori i qarkut përkatës dhe drejtori i përgjithshën mund të kishin të drejtë dhe akses të lexonin e merrnin dijeni për materialin. Gjendur në një rrethanë të tillë ai ka denoncuar në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm. Por duket se edhe atje, zvarritjet dhe ndikimet kanë bërë punën e vet. Nga ana tjetër, eprori kërkon që ngjarja të mos bëhet publike. Duket se ai nuk është në anën e agjentit denoncues. As titullarja e institucionit. E cila pandeh se punohet si në rastet e Charles McGonigal. Pasi është e vështirë të mbetet sekret, një informacion i hedhur zyrtarisht brenda sistemit të shërbimit. Së paku deri tani..














