Një denoncim i bërë në emisionin “Stop” në Tv Klan hedh dyshime për praktikën e noterit të qytetit të Bilishtit, Jorgo Gjamo.
Sipas qytetarëve, noteri nuk ndodhet në qytet prej dy vitesh, pasi bashkëshortja e tij është transferuar si gjyqtare në apelin administrativ në Tiranë. Çuditërisht, aktet dhe dokumentet zyrtare që duhej të firmoseshin nga noteri, bëheshin nga ndihmësi i tij, pa nevojën e prezencës fizike të noterit.
Gazetari i “Stop” kontaktoi më pas vetë Jorgo Gjamon, duke inskenuar një denoncim për të marrë deklaratën e tij. Noteri pranoi se në ditën kur u realizua prokura e posaçme, ndodhej në Tiranë dhe do të kthehej vetëm në fundjavë. Më pas gjatë takimit, noteri u përpoq të justifikohej duke thënë se nuk e dinte sesi kishte ndodhur.
Noteri Jorgo Gjamo: Po të shkruaja, për 5 minuta do të të marr sepse jam diku.
Gazetari: E kuptoj. Unë jam rrugës duke ardhur, jam diku këtu në Librazhd, prandaj thashë të të merrja para.
Noteri Jorgo Gjamo: Po unë sot…
Gazetari: Për të të takuar.
Noteri Jorgo Gjamo: Ja një moment të flas, ja vetëm një moment të lutem sepse unë jam momentalisht në Tiranë sepse po bëj ca punime. Ju shkoni andej, edhe kjo është, edhe jam diku prandaj.
Gazetari: Nuk je sot, nuk ndodhesh…
Noteri Jorgo Gjamo: Nuk jam sot edhe nesër sepse kam ca punime.
Gazetari: Je në Tiranë, nuk je në Devoll.
Për të verifikuar këto pretendime, agjentët e “Stop” shkuan në Bilisht me kamera të fshehtë. Ata realizuan një prokurë të posaçme dhe rezultati konfirmoi denoncimin. Aktet po përgatiteshin dhe firmoseshin nga ndihmësi, pa praninë e noterit. Ndihmësi i Jorgo Gjamos përdorte fletë A4 bosh, të firmosura më parë në cep nga vetë noteri duke lejuar që aktet të realizoheshin lehtësisht, edhe kur noteri nuk ishte prezent.
Të infiltruarit: Do ikim për Greqi tani dhe do të marrim një furgon, por nuk do të kthehem më dhe dua t’i bëj një prokurë kunatit tim për ta shitur, për ta bërë. Sa kushton kjo vëlla?
Ndihmësi: 38 është!
Të infiltruarit: Të japim një dokument?
Ndihmësi: Një dokument identifikimi. Hajdeni se është gati! Lexoje po të duash dhe mund ta firmosësh pastaj.














