Netflix ka arritur një marrëveshje për të blerë Warner Bros Discovery për 82.7 miliardë dollarë duke riformësuar industrinë e filmit dhe televizionit.
Kompania e transmetimit do të marrë nën kontroll Warner Bros, studion që ka realizuar filma si “Harry Potter”, “Superman” e “Batman”, si dhe HBO që është ‘shtëpia’ e serialeve hit “Game of Thrones”, “The White Lotus” dhe “Succession.”
Netflix do të mund të kontrollojë edhe një arkivë të pasur ku përfshihen klasikë si “Friends”, i cili do të hiqet nga Netflix në fund të vitit dhe “The Big Bang Theory.”
“Misioni ynë ka qenë gjithnjë që të argëtojmë botën”, tha Ted Sarandos, një nga shefat ekzekutivë. “Së bashku, mund t’i japim publikut më shumë nga ajo që pëlqen dhe të ndihmojmë në kornizimin e shekullit të ardhshëm të rrëfimit.”
Marrëveshja, e cila vlerëson WBD-në në 72 miliardë dollarë pa përfshirë borxhin, do të mbyllet pasi WBD të shkëpusë kanalet e saj kabllore, ku përfshihen CNN, TBS dhe TNT. Ajo pritet të përfundojë në tremujorin e tretë të vitit të ardhshëm.
Netflix, ka ofruar një tarifë prej 5 miliardë dollarësh nëse marrëveshja nuk merr miratimin rregullator. Gjiganti i transmetimit pret të grumbullojë 2-3 miliardë të ardhura në vitin e tretë pas mbylljes së marrëveshjes.
Netflix ka garantuar se do të vazhdojë të lejojë Warner Bros që të nxjerrë prodhime të mëdha kinematografike.














