Tek dosja e vrasjes së komisarit në lirim Artan Cuku, evidentohet me detaje se si u identifikua autori i dyshuar Mikel Shalari në sajë të gjumëve të ADN-së, të gjetura në bluzën sportive blu që e hodhi në koshin e mbeturinave pas krimit.
Ngjarja ndodhi më 8 prill të vitit 2017, rreth orës 20:10 me katër plumba, në hyrjen e pallatit “Melrose”, që ndodhet në kryqëzimin e rrugës së Kosovarëve me rrugën “Ndreko Rino”, në Tiranë.
Në dosje përshkruhet meedhe profili gjenetik i vrasësit, i cili u zbulua në Bernë të Zvicrës dhe policia shqiptare mësoi se quhej Mikel Shalari, i dënuar atje për trafik droge.
Shalari ka rezistuar vetëm pak ditë dhe më 12 qershor 2017 ka shprehur dëshirën për të bashkëpunuar dhe nënshkroi marrëveshjen me prokurorinë. Shalari tregoi me detaje krimin dhe emrat e bashkëpunëtorëve.
Siç thuhet edhe në dosje, organizatori dhe porositësi i vrasjes është Bledar Jambelli (alias Rikardo Muho) i arrestuar tashmë dhe shtytësi apo bashkëpunëtori është Gerti Kaji (alias Kristaq Leci), ky i fundit djali i dajës së të pandehurit.
Në dosje përmenden për herë të parë motivet që e shtynë të riun të merrte përsipër krimin.
“I pandehuri dha shpjegime të hollësishme mbi rrethanat dhe motivin e krimit të vrasjes së shtetasit Artan Cuku. Ai pranoi se për kryerjen e vrasjes së tij i ishin premtuar 20 mijë euro, nga personi i interesuar, të cilin ai e pati njohur me ndërmjetësimin e djalit të dajës, të pandehurit Kristaq Leci, i cili e konsideronte atë si person të rëndësishëm dhe e quajnte “i madhi” ose “Shefi” .
Ky person u identifikua më pas nga ai si Bledar Jambelli. Përveç çmimit të mësipërm të krimit, organizatori dhe ndërmjetësi i premtuan të pandehurit se do ta ndihmonin të sistemohej në Gjermani, atje ku banonin ata.
Ndonëse fillimisht hezitoi, i pandehuri pranoi ta kryente këtë krim duke qënë se ndodhej në vështirësi financiare, kishte një të dashur me të cilën bashkëjetonte në një shtëpi me qira, nuk kishte punë stabël për të siguruar të ardhura dhe përherë ishte në borxhe e vështirësi ekonomike.
Ai u josh nga premtimet e të bashkëpandehurve për t’i siguruar një jetë më të mirë, thuhet ndër të tjera në dosjen voluminoze.