Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale po zhvillon sot mbledhjen e radhës. Bashkëkryetari Luçiano Boçi u shpreh gjatë fjalës së tij se nëse ndiqen të njëjtat metoda si në reformat e kaluara, puna e këtij komisioni do të jetë një dështim dhe pa produkt.
Boçi tha më tej se thelbi i kësaj reforme është një ndarje e re territoriale, me më shumë bashki dhe shërbime. Ai shtoi se reforma e fundit përfundoi me një hartë politike që sipas tij u nda në bazë të numrit të votave dhe jo interesit të qytetarëve.
“Nëse ecim me të njëjta modalitete si më parë do bëjmë vetëm reformën e reformës së dështuar. Nëse duam një produkt të nisim të punojmë me vërtetësi për interesin e qytetarëve dhe bashkive.
Kryetarët e bashkive kanë interes, mos mendoni se na kanë sjellë ata këtu. I kam parë çfarë përulje kanë në raport me kryeministrin sepse janë të zhveshur nga çdo lloj autonomie.
Ajo çfarë kërkohet në thelb të kësaj reforme, është një ndarje e re territorial, bashki më shumë, shërbim më shumë. Kjo ndarje nuk përkon me tendencat e zhvillimi ekonomik.
Ndërkohë, bashkëkryetari tjetër, Arbjan Mazniku, kërkoi që debati të mos shndërrohet në përplasje politike, por të bazohet në të dhëna dhe analiza teknike.
Ai theksoi se përgatitja e pushtetit vendor për standardet e BE-së është sfida kryesore.
“Do të mundohem të shmang gjithë kohës futjen e debatit në hullinë politike. Duhet të bazohemi në fakte dhe shifra. Bën sens që njerëzit të kenë opinione politike, por duhen parë shifrat dhe eksperienca në terren,” tha Mazniku.














