Në mbledhjen e Komisionit të Mediave dhe të Drejtave të Njeriut, deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, artikuloi pesë arsye kryesore pse buxheti i vitit 2026, sipas saj, nuk i shërben qytetarëve dhe nuk mbron të drejtat kushtetuese.
Gjatë diskutimit nen për nen të projektbuxhetit, Tabaku ngriti shqetësime që lidhen me mungesën e vizionit dhe mbështetjes për shtresat më të prekura nga kriza ekonomike.
Tabaku theksoi se qeveria nuk e njeh këtë të drejtë themelore, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Avokatit të Popullit. Ajo rikujtoi se kostoja e jetesës ka arritur në rreth 90 mijë lekë, ndërsa mbështetja shtetërore mbetet simbolike. Sipas saj, ky është një tregues i qartë se realiteti ekonomik i familjeve shqiptare nuk reflektohet në politikat buxhetore.
Deputetja demokrate u ndal edhe te pensionistët, duke theksuar se prej 13 vitesh nuk ka pasur asnjë reformë serioze në këtë sektor. Shpërndarja e bonusit në 12 muaj, sipas saj, nuk sjell ndryshim real dhe nuk kompenson rritjen e çmimeve që ka arritur deri në 60% gjatë dekadës së fundit.
Tabaku ngriti alarmin për bllokimin e procesit të pronave dhe dosjeve të të përndjekurve politikë. Vetëm 20% e tyre janë trajtuar, ndërsa ligji i pronave është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj, kjo situatë përbën shkelje të qartë të së drejtës së pronës dhe rendit juridik.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte rritja e pagës minimale. Tabaku tha se kjo sjell një efekt shtesë prej 150–180 milionë euro për bizneset dhe punëmarrësit, kosto që nuk kompensohet me politika lehtësuese. Sipas saj, masat e qeverisë nuk ndikojnë në përmirësimin e jetës së punësuarve, por vetëm shtojnë barrën fiskale.
Deputetja demokrate kritikoi ashpër nismën e qeverisë për amnistinë fiskale, e cila sipas saj prek 200 mijë tatimpagues me 1.7 miliardë euro borxhe, ndërsa synohet të mblidhen vetëm 400 milionë. Tabaku deklaroi se kjo amnisti cenon barazinë para ligjit dhe favorizon informalitetin, duke kërkuar transparencë të plotë për përfituesit.














