Një tragjedi është shënuar në brigjet greke, ku një varkë me emigrantë është përmbysur rreth 15 milje detare në jug të ishullit Gavdos.
Sipas Rojës Bregdetare Greke, deri më tani janë gjetur tre trupa të pajetë, ndërsa 56 persona janë shpëtuar. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon me intensitet të lartë nën koordinimin e Qendrës së Unifikuar të Kërkimit dhe Shpëtimit.
Në zonë po operojnë dy anije kalimtare dhe dy anije të Rojës Bregdetare, ndërsa në ndihmë është përfshirë edhe një helikopter i Forcave Ajrore. Një anije e Frontex ka luajtur rol kyç në shpëtimin e emigrantëve që ndodheshin në bord.
Autoritetet greke nuk kanë dhënë ende detaje mbi shtetësinë e personave që ndodheshin në varkë, ndërsa kërkimet për të zhdukurit vazhdojnë me të gjitha mjetet e mundshme.














