Policia kufitare e Durrësit ka vënë në pranga një 47-vjeçar, i cili tentoi të trafikonte tre persona drejt Italisë, të fshehur në kamionin që ai drejtonte. Gjatë kontrollit të ushtruar në Portin e Durrësit, efektivët zbuluan tre shtetas të huaj të fshehur në mjetin transportues, me të cilin 47-vjeçari kishte planifikuar t’i transportonte ilegalisht drejt Italisë.
Hetimet zbuluan se dy prej emigrantëve ishin të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se është pjesë e një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e drogës dhe ishte dënuar edhe më parë në shtetin fqinj.
“Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, dhe i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit finalizuan operacionin policor të koduar “Marine”. Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi:
K. Gj., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi në kamionin që drejtonte u gjetën të fshehur 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Nga verifikimet e kryera në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se:
-shtetasi R. M., 37 vjeç, banues në Lezhë, i fshehur në kamion, ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Zyra e Prokurorit Publik në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. 37-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.
-shtetasi K. D. alias K. F. alias K. P., i fshehur në kamion, ishte shpallur në kërkim kombëtar në Itali. Ky shtetas u arrestua dhe pritet lëshimi i urdhër arrestit ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për të.
-shtetasi S. D. alias K. M. i fshehur në kamion, ka qenë i dënuar më parë, me burgim, nga Gjykata e Pratos, Itali, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Për këtë shtetas nisi procedimi në gjendje të lirë.”- njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
 
	    	















