Pas grumbullimit me Kombëtaren shqiptare, ku luajti vetëm një pjesë loje në miqësoren ndaj Jordanisë, Jasir Asani është rikthyer menjëherë në formë me klubin e tij në Iran.
Sulmuesi shqiptar ka lënë menjëherë shenjë në kampionatin iranian, duke realizuar një gol të bukur për skuadrën e Esteghlal.
Në ndeshjen ndaj Mes Rafsanjanit, Asanit i mjaftuan vetëm 11 minuta për të zhbllokuar rezultatin.
Ai mori topin në krahun e djathtë të sulmit dhe, me një gjuajtje precize me të majtën drejt shtyllës së parë, mposhti portierin kundërshtar, duke kaluar në epërsi ekipin e tij.
Ky ishte goli i tretë për Asanin në kampionat që prej transferimit të tij te Esteghlal pak javë më parë.
Forma e tij e mirë dhe efikasiteti para portës po e kthejnë sulmuesin shqiptar në një nga pikat më të forta të skuadrës iraniane.