Në një intervistë ekskluzive për Euronews, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi ashpër Evropën për mungesën e saj në procesin e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, duke e cilësuar atë si “dorëzim para terrorizmit palestinez dhe pakicave radikale islamike”.
Ai tha se iniciativa për një armëpushim “realist” erdhi nga Presidenti amerikan Donald Trump.
Netanyahu theksoi se njohja e shtetit palestinez nga 15 nga 27 shtete të BE-së është “shpërblim përfundimtar për Hamasin” dhe paralajmëroi se kjo nuk do të sjellë paqe, por do të dobësojë Izraelin.
“Kjo është arsyeja pse Evropa në thelb është bërë e parëndësishme në skenën globale dhe ka shfaqur dobësi të madhe”, deklaroi Netanyahu, duke shtuar se ishte Presidenti i SHBA-së Donald Trump ai që mori udhëheqjen dhe iniciativën për marrëveshjen “realiste” të armëpushimit.
Ai shtoi se shpreson që vendet evropiane të “rishqyrtojnë” vendimin dhe të mbështesin një qasje më realiste që synon paqen e qëndrueshme.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka mirëpritur përpjekjet për armëpushim dhe ka theksuar gatishmërinë për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete, duke paralajmëruar gjithashtu pezullimin e mbështetjes dypalëshe dhe pjesërisht të marrëveshjeve tregtare me Izraelin, një hap që kërkon shumicë të kualifikuar mes shteteve anëtare.