Nga Boldnews.al
Sako Sakollari, një qytetar nga Kombinati, që po shihte se si, i gjithë investimi i jetës së tij, po i shndërrohej në gërmadha nga fadromat e Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, lëshoi një akuzë shumë të fortë për kolegun Osman Stafa të “News 24”- i kishin kërkuar 50 mijë euro që të mos ia prishnin.
Fjalët janë të drejtëpërdrejta: “Më thanë “shko tako shefin”. I thashë që s’takoj asnjë shef. Kjo ndodh për shkak se nuk pranoj korrupsion, mbaj përgjegjësi penale”, deklaroi administratori. Shefi para 3 viteve na kërkoi 200 mijë euro, Mariglen Qato që të mos prishej objekti, si bakshish, por ne nuk pranojmë korrupsionin. Para disa muajsh erdhën inspektorë këtu na kërkuan 50 mijë euro për fushatë, erdhën në emër të IMT-së, deklaroi ai

Burri 60-vjeçar, i lindur në Përmet dhe banor prej shumë vitesh në periferinë perëndimore të Tiranës, përmend një emër të përveçëm, Mariglen Qaton, ish-kryeinspektori jetëgjatë i Bashkisë së Tiranës.
Por, Qato është arrestuar në fund të Marsit 2024 dhe, prej asaj kohe, ai gjendet në paraburgim, nën akuzat për korrupsion me aferën “5D”. Ndërkohë, qytetari nga Kombinati thotë se atij i është sugjeruar të paguajë një “gjobë” 50 mijë euro tek shefi, edhe “para 2-3 muajsh”.

Natyrisht, dy-tre muaj më parë nuk ka qenë në detyrë Mariglen Qato. Prej shkarkimit të tij nga detyra dhe më pas arrestimit, vendin e Qatos në krye të Inspektoratit Ndërtimor Vendor e ka marrë Rigers Sheqeri.
A duhet të “sheqeroste” zoti Sakollari Sheqerin me 50 mijë euro “bakshish”? Qytetari nuk përmend emër. Ndoshta edhe ai vetë nuk e di se në krye të IMT-së së Tiranës është Rigers Sheqeri. Sakollari thotë vetëm se “inspektorët erdhën në emër të Shefit, për të paguar 50 mijë euro, me qëllim që të shpëtonte godina pa u prishur”.

Deklaratat e Sakollarit lidhen, ndoshta në mënyrë rastësore, edhe me një tjetër situatë, të ndodhur së fundmi po në zonën e Kombinatit.
Në fund të gushtit 2025, të paktën dy punonjës të Inspektoratit Vendor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës, u arrestuan për korrupsion. Gerald Fuçia dhe Klajdi Zhilla ishin pjesë armatës të inspektorëve që i ishin përgjigjur “kushtrimit” të kryeministrit Edi Rama për të pastruar trotuaret nga çadrat e tendat e lokaleve.
Por, siç rezultoi nga hetimi i zhvilluar prej Prokurorisë së Posaçme, inspektorët kishin vendosur t’i merrnin 3 mijë euro “rryshfet” një personi, me qëllim që t’i lejonin mbajtjen e tendës.
Në atë rast, duket se inspektorët kanë vendosur të “sheqerosin” vetëm veten dhe përfunduan pas hekurave.
Ndërkohë, qytetari nga Kombinati duket që nuk ka pranuar që të “sheqerosë” as inspektorët dhe as “Shefin”. E, për këtë arsye, godina tre-katëshe e tij u kthye në pluhur dhe hi.
Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës nisi paraditen e së Shtunës një aksion për prishjen e një serie të gjatë godinash.
Shkatërrimi është vijim i një projekti të Bashkisë për ndërtimin ose zgjerimin e disa rrugëve që do të lidhin periferinë sub-urbane të Kombinatit me pjesën tjetër të lagjes perëndimore të Tiranës.
Ky investim kushton rreth 5 milionë euro dhe tenderi është fituar në Tetor të vitit 2024 nga kompania “Salillari”.
LEXO EDHE:
IMT shemb qendrën e bizneseve në Kombinat, pronari: Më kërkuan 50 mijë euro