Një 15-vjeçare rezulton e zhdukur që prej datës 1 shtator. Babai i adoleshentes ndau në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24 një rrëfim emocional, duke treguar se vajza kishte ndryshuar sjellje muajt e fundit dhe kalonte shumë kohë në rrjetet sociale, kryesisht në TikTok.
“Vajzës time nuk i ka munguar asgjë. Sa kam pasur mundësi, ia kam plotësuar gjithçka. Ditët e fundit ishte bërë nervoze, thoshte ‘kam jetën time’. Kalonte orë të tëra në TikTok. Ajo doli nga shtëpia në orën 12:30 të natës së 1 shtatorit. Unë po i jepja ilaçet gruas kur dëgjova një zhurmë makine. Dola zbathur në oborr dhe pashë që një makinë u largua me shpejtësi në drejtim të kundërt,” u shpreh ai.
Babai tregon se kjo nuk është hera e parë që vajza e tij largohet nga shtëpia. Sipas tij, më herët ajo kishte munguar për rreth një javë, por ishte kthyer sërish, pa dhënë shumë shpjegime.
“Herën e parë më tha se kishte qenë te shoqja për kafe. Por asnjëherë nuk tregonte të vërtetën. Telefonin e ka të bllokuar, nuk kemi asnjë kontakt me të,” – vijoi ai.
Ai shprehu dyshime serioze për rolin e shoqërisë së vajzës, si dhe ngriti akuza të forta ndaj Policisë, duke aluduar se ata janë në dijeni për vendndodhjen e të bijës, por nuk ndërhyjnë.
“Punonjësa sociale më thonte që nuk duhet ti bënim presion vajzës. Unë mendoj se ka gisht policia në këtë mes. Unë kam shkuar rreth 4 -5 herë në polici dhe kam pritur se mos vajza kthehet.Atje më thanë që e ka marrë prokuroria çështjen në dorë. Atë ditë vajza mori gruan në telefon, dhe i tha se do të vinte, por nuk i jepnin leje në punë .Që në atë moment u mbyll telefoni, dhe nuk u hap më. Kam tentuar të komunikojë me të , por telefoni ishte i bllokuar. Unë dyshoj se shoqja e saj e ka future në valle vajzën time. Policia e ka bërë këtë rrëmujë, dhe është në dijeni për vendodhjen,” tha ai.
Sipas babait, vajza e kishte telefonuar nënën ditën që u largua, duke i thënë se do të vinte në shtëpi, por nuk i kishin dhënë leje në punë, e më pas telefoni i saj ishte fikur dhe nuk u hap më.