Një mjet luksoz, ‘Lamborghini Urus’ me vlerë 160 mijë euro është sekuestruar në Tiranë. Mjeti luksoz dyshohet se është përfituar nga veprimtaria kriminale.
Makina luksoze përdorej nga Sahit Shpataj, një person i dënuar për disa vepra penale. 34-vjeçari dyshohet se e kishte regjistruar automjetin në emër të një kompanie, për të shmangur gjurmimin dhe për të justifikuar vlerën.
“Në vijim të operacioneve policore që kanë qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Manovra”.
Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij.
Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas.
Vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh.”– njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.