Një nga projektet më ambicioze për krijimin e një kazinoje në zemrën e New York-ut, në lagjen ikonike Times Square, u refuzua të mërkurën nga komisioni që shqyrtoi propozimet për licencat e reja të kazinove në qytet.
Komisioni, i përbërë nga zyrtarë të zgjedhur të bashkisë dhe shtetit të Nju Jorkut, shqyrtoi tetë projekte të ndryshme, por hodhi poshtë planin për Times Square me katër vota kundër dhe dy pro.
Kundërshtimi më i madh ndaj projektit vinte nga komuniteti i Broadway-t, industria e njohur e teatrit dhe shfaqjeve muzikore. Jason Laks, president i Broadway League, një nga shoqatat më me ndikim në botën e spektaklit, e përshëndeti vendimin: “Një kazino mund të ndërtohet kudo, por Broadway ekziston vetëm këtu. Ky vendim mbron magjinë e lagjes sonë.”
Shumë profesionistë të artit dhe banorë të zonës shprehën shqetësime se ndërtimi i një kazinoje do të tërhiqte një lloj tjetër audience, që mund të braktiste teatrin dhe dyqanet lokale, duke ndryshuar ndjeshëm karakterin kulturor dhe turistik të zonës.
Plani i refuzuar përfshinte një investim prej 5,4 miliardë dollarësh, që synonte ndërtimin e një kazinoje moderne, hoteli luksoz dhe restoranti në zemër të Manhattanit. Projekti ishte në bashkëpunim me gjigantin e industrisë së kazinove dhe argëtimit, Caesars Entertainment, në partneritet me kompaninë Roc Nation të Jay-Z.
Përkrahës të fuqishëm të projektit ishin figura të njohura si pastori Al Sharpton, aktivist i shquar për të drejtat civile, si dhe personalitete të tjera të rëndësishme të qytetit.
Plani për Times Square ishte një nga tetë propozimet konkurrente për licencat e reja të kazinove që do të jepen në qytetin e Nju Jorkut dhe rrethinat e tij.
Mes vendeve të tjera të propozuara për ndërtimin e kazinove ishte një zonë pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në Manhattan, Queens, Bronx, si dhe zona të tjera strategjike në metropol.
Vetëm tre licenca janë në dispozicion, dhe fituesit do të duhet të paguajnë të paktën 500 milionë dollarë secili për të marrë një leje operimi.