Nga Tina Brown/ The New York Times
Kur presidenti Trump bëri vizitën e tij të parë shtetërore në Britani në vitin 2019, kjo vizitë u pa nga familja mbretërore si një hapje e Pallatit Bakingem ndaj një fenomeni politik të cilin britanikët e shihnin si një devijim komik. Atëherë, mbretëresha Elizabeth II, 93-vjeçare, udhëhoqi një festë të shkëlqyer e cila ishte përgatitur me kujdes për të emocionuar presidentin e 45-të të Amerikës. Por, kishte një nuancë aktrimi në gjithë atë madhështi, e cila mund të përmblidhet me momentin kur Camilla ia bëri me sy një anëtari të sigurimit – gjatë një fotografie në Pallatin Klarens me çiftin Trump. Momenti u bë viral ditën tjetër.
Gjithashtu, në shumë mënyra Uindzori është një vend më i përshtatshëm për të pritur z. Trump në mandatin e tij të dytë luftarak. Është fortesë, si dhe një shtëpi mbretërore, e ngritur fillimisht nga Uilliam Pushtuesi për të zmbrapsur pushtuesit në shekullin XI. Presidenti do të kalojë pranë ekspozitave të zymta të heshtave mesjetare, shtizave që nxjerrin sytë dhe heshtave të gjata vdekjeprurëse të halbardave.
Z. Trump, i cili Departamentin e Mbrojtjes sapo e ka riemërtuar si Departamenti i Luftës, mund të kënaqet nga spektakli i ndritshëm i parzmores gjigande të Mbretit Henry VIII, të cilës i mungon vetëm pjesa metalike monumentale e mbretit të shëndoshë Tudor. (Është për të ardhur keq që z. Trump nuk mund ta provojë parzmoren; ai dhe despoti Henry kanë të përbashkët një afinitet të thellë për thesarin, një germofobi të theksuar dhe një dashuri për shkatërrimin grabitqar të institucioneve të shenjta.)
Çfarë shpreson të përfitojë Britania nga trajtimi me madhështi i një presidenti të cilin shumica e qytetarëve të saj e urrejnë? Për kryeministrin në vështirësi, Keir Starmer – i cili ka një mbështetje prej vetëm 24 për qind dhe që sapo është detyruar të shkarkojë ambasadorin e tij në Uashington, Peter Mandelson, për shkak të korrespondencës së tij tepër të ngrohtë me të dënuarin për abuzime seksuale, Jeffrey Epstein – kjo është një mundësi për të shpallur marrëveshje të reja me vlerë prej miliardash dhe për të krijuar imazhin e një lideri që ka kontroll.
Por, pritja që do t’i bëhet z. Trump në Uindzor do të jetë gjithashtu nxitje për rëndësinë e monarkisë, një shfaqje e aftësisë së Mbretit Charles në diplomacinë ndërkombëtare që do të luajë një rol kyç diplomatik – jo thjesht ceremonial – në vizitën e dytë të presidentit.
Për vite me radhë, kritikët kanë pyetur se si Charlesi dogmatik dhe emocional, i fiksuar pas çështjeve si thatësira, homeopatia e rreme dhe ruajtja konservatore e zanateve tradicionale, do të mund të arrinte ndonjëherë atë aurë mbretërore që kishte nëna e tij. Elizabetha ishte sfinks për 70 vjet, ndërsa për Charlesin dimë gjithçka – nga jeta e tij e fshehtë seksuale me Camillan gjatë epokave kur ajo ishte dashnorja e tij, e deri te prishja e hidhur e marrëdhënieve me djalin e tij të vogël, princin Harry. Ndërkohë që publiku britanik pret që princi William të hapë derën e fatit, më e shumta që pritej nga mbretërimi kalimtar i të atit shtatëdhjetë e ca vjeçar ishte, sipas fjalës së Churchillit, “veç të vazhdonte tutje”.
Megjithatë, vitet e para të Charlesit si monark kanë qenë një triumf i heshtur. I kalitur nga turne të panumërta jashtë vendit, i pjekur për rolin kushtetues përmes viteve të praktikës, dhe tani i përshtatur me shumë prej shqetësimeve moderne të qytetarëve, Charlesi mund të jetë njeriu i fundit që rrezaton peshë globale në këtë botë të përfshirë nga zjarri i epokës digjitale.
Ishte ai që arriti të zbusë disa nga ndjenjat e lënduara të Brexit-it duke lavdëruar Bundestagun në një gjermanishte të rrjedhshme dhe më pas duke iu drejtuar ngrohtësisht Senatit francez në një frëngjishte perfekte. Ai dha një sinjal të duhur të pakënaqësisë zyrtare britanike ndaj talljeve të z. Trump për Kanadanë, si “shteti i 51-të amerikan”, përmes një udhëtimi të menjëhershëm për të hapur Parlamentin kanadez me ftesë të kryeministrit, Mark Carney. Një gjest i përfolur për humanizëm ishte edhe ftesa e tij ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky – për çaj në shtëpinë e tij private në Sandringem, menjëherë pas përballjes së turpshme të këtij të fundit në Zyrën Ovale, një gjest të cilin Elizabetha, me saktësinë e saj ndaj agjendave diplomatike, nuk do ta kishte marrë kurrë parasysh. Në epokën e rrjeteve sociale, kur maska e monarkisë nuk është më e dëshirueshme, Charlesi po e rishkruan mënyrën se si pritet të sillet një sovran.
Është edhe më tragjik fakti që diagnoza e tij me një lloj kanceri të pazbuluar mund ta bëjë mbretërimin e tij një garë me kohën, gjë që i dha edhe më shumë emocion ribashkimit të shumëpritur me djalin e tij të larguar, Harryn, gjatë javës së kaluar. Charlesi e di se, në këto kohë përçarjesh të shëmtuara politike, familja e përçarë mbretërore jep një pamje të keqe. Por, ishte gjithashtu edhe një përmbushje e një dëshire atërore. Nuk është sekret që Charlesi e ndjen shumë mungesën e djalit të tij plëngprishës, i cili në të kaluarën ishte gjithmonë ai djali i gjallë dhe gazmor – krahasuar me Williamin më arrogant dhe më hanoverian. Është e kuptueshme që për Williamin është irrituese të shohë vëllain e tij të pabesë – i cili gjatë pesë vjetëve të fundit ka hedhur baltë mbi familjen në televizion dhe duke promovuar një libër bestseller me thika pas shpine – që sillet në botën e bamirësisë britanike, bën vizitë në Ukrainë dhe hedh hije mbi fotografitë e angazhimeve të zellshme të Williamit.
Këtu, në Amerikë, jemi të fiksuar pas procesit dhe dramës së politikës presidenciale, barrës së detyrës, kolonoskopisë së përditshme nga korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë dhe ndërhyrjeve të padurueshme në jetën private të udhëheqësve tanë. Ish-Zonjat e Para ankohen për presionet që përjetojnë gjatë viteve të tmerrshme brenda flluskës së Shtëpisë së Bardhë. Por, vetëm ata që lindin ose martohen brenda institucionit të monarkisë e dinë kuptimin e vërtetë të jetës në kafaz – të imponuar nga detyra, shërbimi dhe vëzhgimi i pandërprerë publik, pa asnjë dalje tjetër veçse vdekja apo arratisja. Është më e lehtë marrja e rolit të priftit sesa jeta madhështore mbi tapet të kuq, shërbyer nga shërbëtorët përulës – diçka që gruaja e Harryt, Meghan, nuk e kuptoi kurrë.
A ka ndonjë shans që z. Trump të largohet nga shtëpia mbretërore në Uindzor me një njohje më të thellë për kotësinë e paraqitjes si mbret i rremë? Kështjella Uindzor ka mbijetuar për 1000 vjet, ashtu si edhe monarkia britanike. Siç më tha z. Fry: “Njeriu shpreson që Trumpi, të paktën në mënyrë të nënvetëdijshme, ta lexojë mesazhin e kështjellës. Fuqia e vërtetë nuk ka nevojë për mburrje. Shkëlqimi është më fisnik se vezullimi”. Fatkeqësisht, më e mundshme është që z. Trump të porositë disa parzmore dhe një mori halbardash për paradën e 250-vjetorit të Amerikës.