Gazetarët e emisionit investigativ kanë ndjekur rastin e gruas së qëlluar të paktën 8 herë me thikë, Stefani Varesi, por që fatmirësisht i mbijetoi sulmit agresiv, që nga fillimi i hetimeve e gjatë të gjithë peripecive të viktimës për të gjetur të drejtën e saj.
Por, në pamundësi për të ndryshuar diçka, ajo u detyrua të largohet nga Shqipëria, nga frika se do të bëhej sërish viktimë e agresorit.
Historia e Stefani Varesit, nga Durrësi, nis në vitin 2015, kur Mario Spahiu i kërkoi asaj të krijonin lidhje intime. Por, pasi ajo nuk pranoi, sipas saj, Spahiu e kërcënoi se “do të ishte e tij, ose ndryshe do ta vriste”.
Fillimisht ai u largua nga jeta e Varesit, por kërcënimet u rikthyen sërish në janar të vitit 2017, kur Spahiu i doli para, ndërkohë që një muaj më vonë e mori në telefon dhe e kërcënoi me jetë. Për këtë, ajo u ankua edhe pranë policisë, ndërsa u duk se gjithçka u qetësua.
Por, pa kaluar dy muaj, pikërisht më 6 prill të vitit 2017, Mario Spahiu i kishte zënë pritë poshtë shtëpisë, duke e qëlluar me thikë. Agresori, duke menduar se e ka lënë të vdekur, është larguar qetësisht. Vetëm kur ajo ka kërkuar ndihmë, ai ka ikur me vrap.
Pas ngjarjes, e plagosura tregon se Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka arrestuar agresorin, por Prokuroria e ka cilësuar veprën penale “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, ndërsa sipas saj, vrasja ka qenë me paramendim, pasi ai e ka pritur derisa ajo ka ardhur dhe më pas e ka qëlluar me thikë, duke menduar se e kishte vrarë. Për këtë arsye, ajo kërkon ndihmën e drejtësisë, që ajo të mos jetë një “Fildeze” e dytë.
Për këtë, “Fiks Fare” kërkoi informacion pranë Prokurorisë së Durrësit, për të mësuar arsyet se përse është kualifikuar “vrasje me dashje” dhe jo “vrasje me paramendim”, duke lehtësuar dënimin e agresorit me të paktën 5 vite burg.
Kodi Penal parashikon për veprën penale “vrasje me dashje”, siç ka kualifikuar Prokuroria për agresorin Mario Spahiu, dënimi është 10-20 vite burg, ndërsa për veprën penale “vrasje me paramendim”, siç pretendon e dëmtuara Stefani Varesi, dënimi është 15-25 vite burg.
Gazetarët e “Fiksit” shkuan për të takuar prokuroren e çështjes, Flora Reka, për ta pyetur mbi kualifikimin e veprës penale, por ajo nuk pranoi të japë shpjegime. Me që prokurorja nuk pranoi të japë shpjegime, “Fiks Fare” iu drejtua Prokurorisë së Durrësit me një kërkesë zyrtare, por as Prokuroria nuk tha asgjë për arsyet e klasifikimit të këtij krimi të rëndë, vetëm vuri në dispozicion kërkesën për gjykim.
Duke qenë se Stefani Varesi nuk gjeti zgjidhje në Prokurori, ajo i kërkoi gjykatës rikualifikim të veprës penale. Por, ajo nuk mund të paraqitej vet në gjykatë, pasi – sipas psikologëve, të cilët kanë dorëzuar raportin përkatës, – gjendja e saj mendore, emocionale dhe shpirtërore paraqitet në nivele shqetësuese.
Kështu, Stefani Varesi i kërkoi gjykatës seancat audio për të vërtetuar ato që po ndodhnin në gjykatë. Megjithatë, sikur të mos mjaftonte sulmi me 8 thika, pengesë për drejtësinë iu bë edhe gjykata, pasi gjyqtari refuzoi t’i jepte seancat audio.
Nga verifikimi që bëri “Fiks Fare” rezulton se refuzimi i kërkesës për regjistrimin audio, Stefani Varesit i është bërë nga vet gjyqtari i çështjes, Petraq Çuri, i cili ka vënë një shënim, sipas të cilit ajo “duhet të pyetet si dëshmitare dhe pastaj mund të përsërisë kërkesën”.
Për këtë arsye, “Fiks Fare” kërkoi nga Gjykata e Durrësit përgjigje se përse është bërë refuzimi i vënies në dispozicion të regjistrimit audio dhe cili është argumentimi ligjor i gjyqtarit Petraq Çuri për refuzimin e regjistrimit audio?
Përgjigjja e Gjykatës së Durrësit ishte:
“Informacioni i kërkuar nga ana juaj nuk përbën informacion publik”, ndaj dhe përgjigjja i kthehet vetëm palës, në këtë rast viktimës, duke u sqaruar edhe arsyet përkatëse.
Pra, Gjykata e Durrësit nuk pranoi të japë seancat audio as për viktimën dhe as për median, ndërkohë që më 25 prill të këtij viti dha dënimin, ashtu siç e kishte parashikuar viktima, Stefani Varesi.
Gjykata e dënoi Mario Spahiun me 12 vite burg për “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”. Në këto kushte, duke mos gjetur mbështetje, as te Prokuroria, as te gjykata dhe as te ndonjë institucion tjetër, Stefani Varesi u detyrua të largohej nga Shqipëria, nga frika se shumë shpejt mund të jetë sërish viktimë e agresorit, që herën e parë e sulmoi barbarisht me 8 thika.