Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar të Valbonës, në Tropojë.
Pas shembjes së 8 objekteve të enjten, autoritetet kanë planifikuar rrëzimin e të paktën 12 strukturave të tjera, të ndërtuara me betonarme ose si ngrehina pa leje.
Banorët dhe sipërmarrësit lokalë të Valbonës shprehin shqetësim se ndërkohë që qeveria sheh me fadroma për objektet e vogla malore, investimet e mëdha në zona bregdetare dhe urbane, shpesh të lidhura me biznesmenë dhe oligarkë, nuk përballen me masa të ngjashme.
Një çift i moshuarish, që jeton prej vitesh në Valbonë, duke folur për Syri Tv, kanë shpërthyer në lot dhe akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa bujtina e tyre tre-dhomëshe, po përgatitet për shembje.
“As serbi nuk na e bënte këtë! Jemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë! Është gjynah, jemi shqiptarë, shqiptari shqiptarit nuk ja bën këtë! Ky është gazep!”, thotë burri i moshuar.
Ai tregon se ndërtimi është bërë me para borxh, se fëmijët i ka jashtë shtetit dhe kjo bujtinë ishte i vetmi burim jetese.
“Këto i kemi me mund. I kemi paguar gjithçka, edhe dritat. Kur po e ndërtonim, erdhi policia dhe na tha ‘ju ecët mbarë’. E sot, na shembin gjithçka! Me mirë të na kishin pushkatuar!”, shprehet ai.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, me sytë me lot, shton:“Këto shtëpi pa na vra nuk shemben. Janë me lagështirë, me baltë, punojmë për një copë bukë. Këtë vit i bëmë, e e dinim ku ishim. E sot ja ku jemi… pa mëshirë.”
Të dy kërkojnë që qeveria të ndalë këtë masakër të ndërtimeve të thjeshta që i shërbejnë turizmit dhe mbijetesës së banorëve vendas.