Kjo ishte frika.
Që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia zgjodhi të sulmonte Ukrainën dhe të niste luftën më të madhe në Evropë në pothuajse tetë dekada, frika ishte se fqinjët e Ukrainës do të bëheshin dëm kolateral.
Për më tepër, jo çfarëdo fqinji.
Ukraina ndan kufij tokësorë me katër anëtarë të NATO-s – Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Hungarinë – plus ndan edhe kufij detarë me Rumaninë dhe Turqinë
Si do të reagonte aleanca nëse lufta e Rusisë do të përhapej në një shtet anëtar të NATO-s? Nëse armët ruse godasin, apo bien në territorin e një anëtari të aleancës, a do ta aktivizonin anëtarët Nenin 5 të traktatit “një për të gjithë, të gjithë për një? A do të hynte NATO-ja në luftë me Rusinë?
Më 10 shtator, kur rreth 19 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë – disa prej të cilëve u rrëzuan nga avionët luftarakë nga shtetet e tjera të NATO-s – Rubikoni u kapërcye.
Çfarë ndodh tani varet nga disa çështje: mbi të gjitha, cilat ishin qëllimet e sakta të Rusisë, nëse dronët u lëshuan qëllimshëm, apo u penguan me pajisje elektronike dhe devijuan nga kursi. Zyrtarët polakë e quajtën “akt agresioni” dhe një “provokim në shkallë të gjerë”, por nuk e cilësuan si sulm.
Nëse incidenti në Poloni ishte test – shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se po nis një “test për unitetin” – mënyra se si do të përgjigjet aleanca do të jetë kritike.
Varshava ka aktivizuar Nenin 4 të traktatit të NATO-s, i cili nënkupton mbledhjen e detyrueshme të anëtarëve. Kjo është hera e dytë që një gjë e tillë ndodh që nga shkurti i vitit 2022. Por, ky nen është më pak serioz sesa Neni 5.
Vlen po ashtu të shihet se si aleanca do të reagojë lidhur me çështjen e dërgimit të paqeruajtësve evropianë në Ukrainë, një çështje që po diskutohet në mënyrë aktive. Moska thotë se prania e trupave evropiane në tokën ukrainase do të ishte vijë e kuqe.
“Do të thosha se qëllimi i Rusisë është të mbjellë frikë tek udhëheqësit evropianë”, tha Oscar Johnson, analist ushtarak në Universitetin e Mbrojtjes të Suedisë në Stokholm. “Frika nga përshkallëzimi është mjeti i tyre kryesor për të mbajtur jashtë Ukrainës trupat evropiane”.
Raste të rrezikshme
Edhe në të kaluarën ka pasur raste të rrezikshme, kur lufta e Rusisë është përhapur përtej kufijve të Ukrainës.
Në nëntor të vitit 2022, një raketë e prodhimit rus goditi një fshat polak, duke vrarë dy persona. Varshava reagoi me zemërim. Në NATO ranë kambanat e alarmit. Më vonë doli se bëhej fjalë për një raketë kundërajrore e prodhimit rus, e cila ishte lëshuar nga Ukraina dhe kishte devijuar nga kursi. Pas kësaj, aleanca u tërhoq.
Dronët rusë, por edhe avionët luftarakë dhe ata të vëzhgimit, vazhdimisht kalojnë pranë hapësirave ajrore të shteteve të NATO-s, të cilat bëjnë të njëjtën gjë, veçmas mbi Detin Baltik, të Zi dhe të Beringut. Dronët rusë kanë hyrë më parë edhe në hapësirën ajrore të Letonisë dhe Estonisë.
Rumania ka ngritur alarmin disa herë për hyrjen e dronëve në hapësirën e saj ajrore dhe në disa raste ka aktivizuar avionët luftarakë të NATO-s. Copëzat e dronëve rusë kanë rënë disa herë në territorin rumun, përfshirë në korrik të vitit 2024.
Megjithatë, Rumania asnjëherë nuk i ka përshkallëzuar shqetësimet e saj, e as nuk ka bërë thirrje për veprim urgjent nga aleanca.
Incidenti në Poloni ishte rasti i parë për NATO-n: rasti i parë kur avionët e aleancës u përgjigjën direkt, në hapësirën ajrore të një aleati, kundër armëve ruse.
“Nuk kam asnjë arsye të them se jemi në prag të luftës, por vija është kaluar dhe situata është jashtëzakonisht më e rrezikshme se më parë”, tha kryeministri polak, Donald Tusk, para Parlamentit, duke e quajtur këtë ngjarje si “më e afërta që e kemi pasur me një konflikt të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Johnson parashikoi se shtetet e vendosura për të mbrojtur kufijtë e NATO-s, ose për të mbështetur Ukrainën – si Polonia, shtetet e Baltikut, Republika Çeke dhe Holanda – do të mobilizohen nga ky incident. Ndërsa, vendet që kanë më pak rrezik do të jenë më të rezervuara.
“Ne mund të shohim një shumicë më të vendosur, por edhe një pakicë më hezituese. Pasoja më e rëndësishme do të jetë nëse kjo do të ndryshojë hezitimin e SHBA-së për të vendosur pasoja të rëndësishme ndaj Rusisë, qoftë përmes sanksioneve apo mbështetjes ushtarake”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Vëmendje te Zapadi
Duke nxitur më shumë tensionet: Zapad 2025, një ushtrim i madh ushtarak që përfshin mijëra trupa ruse dhe bjelloruse, i cili nis më 12 shtator. Polonia ka urdhëruar mbylljen e kufijve me Bjellorusinë, ndërsa monitoruesit e fluturimeve raportojnë për një rritje të fluturimeve të avionëve vëzhgues perëndimorë.
“Është një situatë shumë e tensionuar ushtarakisht, të cilën Rusia po e përdor tani për të treguar, në esencë, fuqinë e saj dhe aftësinë për të ndërhyrë edhe në territorin e NATO-s”, tha Marta Prochwicz-Jazowska, hulumtuese për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, me seli në Varshavë.
Nick Reynolds, hulumtues për taktikat luftarake në Institutin Mbretëror për Shërbime të Bashkuara, me seli në Londër, e minimizoi rëndësinë e incidentit në Poloni.
“Duket se Rusia po teston NATO-n. Ata padyshim po e testojnë Poloninë, dhe përgjigjja është mjaft e parashikueshme, polakët janë përgatitur për muaj për këtë”, tha ai. “Është pikërisht lloji i testimit të kufijve që ne do të prisnim”.
“Nuk është diçka që duhet injoruar”, i tha Reynolds për Radion Evropa e Lirë. Megjithatë, “mendoj se përgjigjja e Polonisë është plotësisht e parashikueshme, plotësisht proporcionale, dhe unë thjesht nuk e shoh këtë si diçka që e ndryshon lojën”./REL