Një hotelier në Ksamil ka reaguar pas rastit të bujshëm të qytetarit gjerman, i cili denoncoi komisionet e larta të ATM-ve në zonë. Ai thotë se kjo situatë është kthyer në një përditshmëri shqetësuese për bizneset vendase, të cilat po përballen me pakënaqësi të vazhdueshme nga turistët.
Ai ndan një faturë të datës 20 korrik 2025, e lëshuar nga FI Bank, që tregon një tërheqje prej 500 mijë lekësh të vjetra nga një turist holandez, për të cilën janë mbajtur plot 94 euro për konvertim dhe 800 lekë të tjera si komision shtesë.
Pas publikimit të rastit të qytetarit gjerman, hotelieri vendosi të reagojë publikisht për të ngritur shqetësimin e tij mbi një fenomen që sipas tij po dëmton seriozisht imazhin e turizmit shqiptar në sytë e të huajve.
“Pashë rastin e atij gjermanit në Ksamil. Unë kam një hotel në Ksamil dhe çdo ditë përballem me raste të tilla. Dhe po na dëmtojnë shumë turizmin këto ATM, për shkak të komisioneve të frikshme që mbajnë. Kjo është një faturë e FI Bank, e një prej klientëve të mi, datë 20 korrik sivjet.
Për një tërheqje prej 500 mijë lekësh të vjetra, i kanë mbajtur 94 € konvertim + 800 lekë komision. Ky klient ka ikur nga hoteli tashmë ka dy javë, por nga ankesa që bëri për bankomatet, i bëra një foto faturës që ta kisha, sepse i kemi raste të përditshme. Klienti ishte holandez. Duke parë postimin, mora shkas që t’ju shkruaja.” – shkruan denoncuesi për JOQ.