Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 6 të pandehur, të arrestuar në kuadër të operacionit “Revanshi”, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale, të zbardhura nga bisedat në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”.
Mes të pandehurëve është edhe Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS-së, Eduart Ndreca, i cili akuzohet për kultivim kanabisi dhe grup i strukturuar kriminal.
Më konkretisht, janë dërguar për gjykim të pandehurit e mëposhtëm:
- Albert Zaja, i akuzuar për:
-
- “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, me pasojë plagosjen e shtetasve Durim Bami dhe Ervin Kodra, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal (nenet 79/dh, 22 dhe 28/4 të Kodit Penal);
- “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Hamza Terziu (nenet 80 dhe 28/4 të Kodit Penal);
- “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal (nenet 278/1 dhe 28/4 të Kodit Penal);
- “Grup i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i Kodit Penal);
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334 i Kodit Penal).
- Edison Muceku, i arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar më 10.01.2025 dhe ekstraduar në Shqipëri më 28.03.2025, i akuzuar për:
-
- “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Hamza Terziu (nenet 80 dhe 28/4 të Kodit Penal);
- “Grup i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i të Kodit Penal);
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).
- Elvis Ndreca, i akuzuar për:
-
- “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Durim Bami (nenet 80 dhe 28/4 të Kodit Penal);
- “Grup i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i të Kodit Penal);
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).
- Armando Ndreca, i akuzuar për:
-
- “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal (nenet 283/3 dhe 28/4 të Kodit Penal);
- “Grup i strukturuar kriminal” në formën e organizimit (neni 333/a/1 i Kodit Penal);
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).
- Deivis Bajramaj, i akuzuar për:
-
- “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, në formën e tregtimit dhe shitjes (nenet 278/6 dhe 28/4 të Kodit Penal);
- “Grup i strukturuar kriminal” në formën e krijimit, drejtimit dhe organizimit (neni 333/a/1 i Kodit Penal);
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).
- Adrian Pikli, i arrestuar në Gjermani më 17.05.2024 dhe ekstraduar më 16.07.2024, i akuzuar për:
-
- “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, në formën e tregtimit (nenet 278/6 dhe 28/4 të Kodit Penal);
- “Grup i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i Kodit Penal);
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).
SPAK bën me dije se nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, provohet se:
- 04.11.2020, Ura e Tapizës, Fushë Krujë – Albert Zaja dhe persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra.
- maj–korrik 2020 – Albert Zaja dhe Edison Muceku siguruan mjetet për vrasjen e shtetasit Hamza Terziu.
- korrik–gusht 2020 – Elvis Ndreca siguroi mjetet për vrasjen e shtetasit Durim Bami.
- tetor 2020 – Armando Ndreca organizoi dhe financoi grupin që prodhoi dhe shiti 243 kg kanabis në Lezhë.
- 2020–2021 – Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke i shitur edhe personave me precedent penal.
Atentatit ndaj Durim Bamit dhe Ervin Kodrës
Atentati i dështuar ndaj Durim Bamit ka ndodhur në muajin Nëntor 2020 në zonën e fshatit Qerek të Fushë-Krujës. Mbi 13 plumba janë hedhur në makinën ku udhëtonte Bami dhe Ervin Kodra, por autorët nuk kanë mundur të ekzekutojnë asnjërin prej tyre.
Rasti i kësaj ngjarje të rëndë u hetua fillimisht nga prokuroria e Krujës, por nuk dha rezultat. SPAK, përmes aplikacionit “SKY” ka arritur të identifikojnë këtë tentativë vrasje kundër Durim Bamit, duke qartësuar emrat e organizatorëve Ervis Martinaj, Arben Ndoka, dhe dy personave të paraburgosur Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli.
Shullazi dhe Avdyli, nga ambientet e burgut nr.313 drejtonin organizatat e tyre, ndërsa jepnin informacion periodik për lëvizjen e Durim Bamit, në zonën e Fushë-Krujës.
Informacioni mbi lëvizjet, vendin e qëndrimit, makinat që përdorte Durim Bami, i merrte nga burgu ish-deputeti i PS Arben Ndoka, më pas ky i fundit ja përcillte Ervis Martinaj dhe më pas biznesmeni i lojërave të fatit ka aktivizuar tre vrasës me pagesë të cilët ishin veshur si policë.
Sipas dosjes hetimore, plot 13 plumba automatiku janë derdhur mbi automjetin “Range-Rover” me targa italiane, që drejtohej nga Durim Bami, por ekzekutimi i këtij personi, sërish nuk është arritur të kryhet nga kundërshtarët. Bami, fatmirësisht ka mundur të shpëtojë pa pasur asnjë lëndim, megjithëse në makinën që ai drejtonte janë futur 6 predha kallashnikovi, ku njëra prej tyre ka plagosur në krahun e djathtë djalin e hallës së Bamit, Ervin Kodrën.
Dyshohet se kanë qenë tre persona të veshur si policë, të cilët kanë tentuar të vrasin me armë zjari, Durim Bamin nga Nikla, njërin nga personat më të njohur të botës së krimit në vend.
Ky i fundit ishte duke drekuar në fshatin Qerek me kushëririn e tij, ku pasi kanë mbaruar drekën në një lokal afër Rinasit, kanë vendosur të kthehen në Fushë-Krujë.
Por në ecje e sipër, makina me targa italiane “Range-Rover”, që drejtohej nga Durim Bami, është qëlluar me breshëri automatiku, plot 13 herë. 6 predha kanë prekur pjesë ballore të automjetit, i cili është qëlluar në lëvizje e sipër. Ndërkohë makina tip “Golf 5” e autorëve ka qenë e parkuar në rrugë. Goditja ka qenë shumë e mirëorganizuar dhe dyshohet se Durim Bami, është mbajtur në vëzhgim për një periudhë kohe, duke organizuar pritën kundër tij, pikërisht në vendin e quajtur ura e Tapizës.
Durim Bami ka prerë timonin e makinës majtas dhe kanë kaluar në krahun tjetër të rrugës, duke u futur në një rrugicë të vogël dhe duke përfunduar brenda rrethimit të një fabrike mermeri, ku janë përplasur në murin rrethues të saj.
Si Durim Bami dhe Ervin Kodra, kanë dalë nga automjeti duke rënë në tokë dhe pas disa minutash ka shkuar me shpejtësi Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, dhe ka dërguar në spitalin Ushtarak, Ervin Kodrën.
Atentati ndaj Hamza Terziut
Edison Muceku akuzohet nga SPAK se së bashku me shtetasit Albert Zaja, Tori Xheçuka, Florenc Kelmendi dhe Ardit Gjokrosa kanë kryer veprime për të siguruar kushtet dhe mjetet me qëllim vrasjen e shtetasit, Hamza Tërziu më 21 Maj të vitit 2020 në Bulqizë. Kjo ngjarje u zbardh bazuar në bisedat e aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc”.
Edison Muceku dyshohet të jetë pjesë e grupit kriminal të Hektor Xheçukës, 36 vjeç, i njohur edhe me emrin Tori Xheçuka nga qyteti i Burrelit, i shpallur në kërkim nga SPAK pas operacionit “Revanshi”. Në dosjen hetimore të SPAK, thuhet se Hektor Xhecuka ishte pjesë edhe e grupit kriminal të Ervis Martinajt.
Shtetasi Hektor Xheçuka ka qëlluar me armë drejt banesës së shtetasit Hamza Terziu në fshatin Zënisht si paralajmërim. Nga hetimet rezulon se Hektor Xheçuka në bashkëpunim me shtetasit e përmendur më sipër ka planifikuar që të gjuanin drejt banesës së pabanuar të shtetasi Hamza Terziu, i cili është xhaxhai i Dorjan Terziut.
Pas zbardhje së bisedave në aplikacionit Sky Ecc. duket se në këtë konflikt është përfshirë dhe familja Gjokrosa pasi pretendohet se shtëpinë e shtetasit Hamza Terziu e ka treguar Ardit Gjokrosa dhe më pas ndaj kësaj banese është gjuajtur me breshëri plumbash.