Partia Demokratike e ka konsideruar si një tentativë të turpshme të Policisë së Shtetit, për të fshehur një krim elektoral, faktin që deklaroi se fletët e votimit që u gjetën në lokalin e kryeplakut të fshatit Pekisht të Peqinit, Dervish Beqiri.
Në një deklaratë nga selia blu, deputeti i ardhshëm i PD, Blendi Himçi tha se materialet përputhen me formatin zyrtar të fletëve dhe listave të votimit të shpërndara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Demokratët, për të garantuar transparencë të plotë, kërkojnë që ekspertiza mbi materialet e sekuestruara të bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë të pavarur, jo nga strukturat që janë tërësisht të politizuara dhe të kapura nga pushteti, siç i konsiderojnë ata.
Himçi tha se e cilësojnë deklaratën e Policisë së Shtetit, si një farsë të mirëorganizuar që ka për qëllim të zbehë rëndësinë e ngjarjes dhe të mbulojë provat e krimit elektoral të ndodhur në Pekisht.
DEKLARATË PËR MEDIA KANDIDATI PËR DEPUTET PËR QARKUN ELBASAN, BLENDI HIMÇI
Të nderuar qytetarë,
Dua të denoncoj sot, me shqetësim dhe indinjatë, përpjekjen e turpshme të Policisë së Shtetit për të fshehur një nga rastet më të rënda të krimit elektoral në këtë fushatë, në fshatin Pekisht.
Si kandidatë dhe përfaqesues të Partisë demokratike në qarkun e Elbasanit, e konsiderojmë të pavërtetë dhe keqdashëse çdo aludim apo pretendim të Policisë se materialet zgjedhore të zbuluara në lokalin e kryeplakut të fshatit Pekisht janë të falsifikuara. Materialet përputhen me formatin zyrtar të fletëve dhe listave të votimit të shpërndara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Së dyti, për të garantuar transparencë të plotë, kërkojmë që ekspertiza mbi materialet e sekuestruara të bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë të pavarur, jo nga strukturat që janë tërësisht të politizuara dhe të kapura nga pushteti.
Së treti, e cilësojmë deklaratën e Policisë së Shtetit, si një farsë të mirëorganizuar që ka për qëllim të zbehë rëndësinë e ngjarjes dhe të mbulojë provat e krimit elektoral të ndodhur në Pekisht. Kjo sjellje konfirmon se Policia e Shtetit nuk është neutrale, dhe po përdoret për të mbrojtur interesat e qeverisë.
Ngjarja e Pekishtit është një dëshmi e qartë e tentativave për të blerë votën dhe për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Ne do të ndjekim çdo hap ligjor e institucional për të nxjerrë të vërtetën në dritë dhe për të mbrojtur procesin zgjedhor.
Ata që e gatuan dhe e mbajnë në këmbë këtë farsë elektorale do të përgjigjen.
Detyra jonë është ta bëjmë publike këtë farsë dhe ta shtyjmë drejtësinë dhe faktorin ndërkombëtar të flasë dhe të veprojë.
Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje!