Në vitin 2021 me një Vendim të Këshillit të Ministrave, Universiteti i Arteve mori statusin e veçantë, që i jepte të drejtën këtij institucioni të bënte ekuivalentimin e karrierës artistike me grada shkencoe për personelin akademik. Titujt që do të jepeshin ishin profesor në arte dhe profesor i asociuar në arte dhe do t’i merrnin vetëm ata persona që kishin arritje të shquara artistike. Gjatë vitit të shkuar vetëm pak ditë para zgjedhjeve për institucionet e arsimit të lartë, Universiteti i Arteve lëshoi titujt në fjalë për 58 akademikë.
Josif Gjipali, tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, i cili ka 10 vite që punon edhe si pedagog i brendshëm në këtë universitet, u shpreh për “Piranjat” se këto tituj nuk ju dhanë atyre personave që realisht i meritonin, por për thuajse çdokënd që aplikoi.
“Unë di për shembull që në dosje ka shënuar njëri atje që ka pasur një koncert në Fushë Arrëz, njëri shënon një koncert për shqiptarët jashtë atdheut në një lagje atje. Ti nuk mund ta ekuivalentosh këtë me një shfaqje në La Scala apo një hapje të sezonit në Vienë. Janë këto çuditë e bukura që mund t’i gjesh vetëm në vendin tonë”, u shpreh Gjipali.
Josif Gjipali është një nga tenorët më të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve, pasi ai ka arritur të performojë në teatrot më prestigjiozë në botë, si në La Scala në Milano, La Fenice në Venecia, Opera Bastille në Paris, Covent Garden në Londër, San Francisco Opera House, Sydney Opera House e shumë e shumë të tjerë. Por kjo nuk e diferencon aspak Gjipalin dhe të tjerë artistë karriere si ai, nga grupi i madh i cili ka përfituar grada shkencore, që për shumëkënd janë të pamerituara.
Por kjo dhënie titujsh “pa hesap” ka sjellë disa problematika shumë të rëndësishme. Titujt në fjalë nuk janë regjistruar ende nga Ministria e Arsimit dhe nuk kanë asnjë efekt financiar deri më sot. Universiteti i Arteve me anë të një shkrese i ka kërkuar ndihmë ministrisë në lidhje me këtë gjë, por institucioni më i lartë i arsimit ia ka bërë të qartë në përgjigje se zgjidhjen duhet ta gjejnë vetë për sa kohë gjithë këto tituj janë miratuar nga Senati Akademik.
Për t’u interesuar në lidhje me këtë problematikë dhe për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situae, “Piranjat” u pëballën edhe me rektorin e Universitetit të Arteve, zotin Erald Bakalli.
Ai u shpreh se sipas tij numri i titujve nuk është shumë i lartë, sepse kishte mbi 10 vite që nuk jepej asnjë titull nga universiteti. Sa i pëket regjistrimit dhe përfitimeve financiare, Bakalli premtoi se do të punonte me senatin dhe bordin e univeristetit për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt./ Piranjat