Gjykata e Tianës ka nisur gjykimin në mungesë për Bledar Jambellin, i akuzuar si porositës i vrasjes së ish-kryekomisarit të policisë Artan Çuku. Këtë të martë u zhvillua seanca ku Prokuroria paraqiti konkluzionet e saj lidhur me akuzën ndaj tij.
Më 3 qershor në orën 13:30, u caktua si datë për të dëgjuar pretencën e organit të akuzës dhe pas kësaj, do bëhet mbrojtja e të pandehurit. Pasi të dëgjojnë palët, togat e zeza do të shpallin vendimin për dënimin ose jo të të Bledar Jambellit.
Ky i fundit u arrestua para disa vitesh në Greqi por arriti të bindë drejtësinë helene, e cila vendosi kundër ekstradimit dhe e liroi nga qelia. Më pas, më 2022 do të arrestohej në Athinë për një ngjarje të rëndë në vendin fqinj, me pasojë plagosjen e 5 personave.
Vrasja e ish-zyrtarit të policisë Artan Çuku ndodhi më 2017 në rrugën e “Kosovarëve”, ndërsa Bledar Jambelli u arrestua në Greqi në vitin 2018, si organizator dhe financues i krimit. Personi që sipas drejtësisë shqiptare bëri vrasjen Mikel Shallari, i cili u arrestua vetëm pak ditë pas krimit, vendosi të bashkëpunojë me Prokurorinë, duke treguar marrëveshjen e bërë me Jambellin për vrasjen.
Mikel Shallari, u deklarua fajtor dhe u dënua nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me vetëm 8 vite burgim, për shkak se ai kishte përfituar statusin e bashkëpunëtorit të Prokurorisë.
Motivi i vrasjes së Çukut ishte arrestimi që ish-kryekomisari Cuku i ka bërë porositësit Bledar Jambelli në vitin 2012, të akuzuar për vrasjen e Armando Delajt po atë vit, për të cilën, Jambelli u lirua dy vite më pas nga gjykata, madje mori edhe mbi 500 mijë lekë dëmshpërblim nga shtetit për ditët e burgut.